Konte i përgjigjet Guardiolës: Kundërsulm? Jo në të vërtetë…

Antonio Conte zgjodhi rrjetet sociale, me një postim ironik të publikuar në profilin e tij në Instagram, për t’iu përgjigjur Pep Guardiolës, i cili pas humbjes në shtëpi të Manchester Cityt ndaj Tottenhamit, i kishte cilësuar Spurs si një ekip ‘kundërsulmi’. Një analizë padyshim e papëlqyer nga trajneri italian, i cili u përgjigj duke publikuar një video të tre golave të Spurs në Etihad Stadium të shoqëruar me një mbishkrim elokuent, të kompletuar me buzëqeshje: “Kundërsulm? Jo në të vërtetë…”.
Në fakt, të gjithë golat e Spurs, si ai fillestar i Dejan Kulusevskit ashtu edhe dy në finale të Harry Kane, erdhën në fund të aksioneve të manovruara. Por është gjithashtu e vërtetë që komenti i Guardiolas i referohej qasjes taktike të ndjekur nga Tottenham në 90 minuta dhe jo vetëm në mënyrë specifike për veprimet individuale.
“Pas avantazhit Tottenhm mbrojti shumë poshtë dhe në një mënyrë tepër kompakte – tha trajneri spanjoll – Me Kane nuk humbet kurrë topin dhe mund të vrapojnë shpejt falë Son dhe Kulusevski. Ata luajtën siç prisja, ata ishin të mirë në krijimin e hapësirës për kundërsulmin”.
Në fund të garës Conte kishte preferuar të mos komentonte fjalët e Guardiolës, për ta bërë këtë disa ditë më vonë përmes një postimi që rinovon rivalitetin sportiv mes të dyve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




