Premier Liga, të hënën mbledhje për situatën

Premier League do të mblidhet të hënën për të diskutuar rreth situatës delikate të COVID-19. Rastet e shtuara në disa nga skuadrat e kampionatit maksimal të Anglisë, kanë shqetësuar drejtuesit më të lartë të Premier që do të diskutojnë me drejtuesit e klubeve për të marrë më pas një vendim që mund të konsistojë edhe në pezullimin e përkohshëm të kamionatit dhe rikthimin e skuadrave në fushën e lojës në mesin e muajit janar.
Për këtë fundjavë janë anuluar 5 takime ndërsa Chelsea e Liverpool edhe pse me disa lojtarë pozitivë, janë detyruar të zbresin në fushë. Në krahun tjetër, Tottenham është skuadra më e prekur në Premier League pasi nuk zbret në fushën e lojës që prej tre javësh dhe ky është një telash i vërtetë për drejtuesit e Premier League pasi gjelat e Londrës kanë pak data të lira për të rikuperuar ndeshjet e prapambetura.
Trajneri i Aston Villas, Steven Gerrard, u shpreh shumë i shqetësuar duke theksuar se të hënën, klubet duhet të vendosin për të marrë një vendim. Premier njeh në rregullore anulimin e ndeshjes për një skuadër që ka më pak se 14 lojtarë ndërsa gjatë javës së shkuar, 42 lojtarë dhe anëtarë të personelit të skuadrave, rezultuan pozitivë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




