Totenhem-Mançester Junajtid, sfidë edhe për trajnerët

Ole Gunnar Solskjaer dhe Nuno Espirito Santo e dinë se sëpata mund të bjerë mbi njërin prej tyre në përfundim të sfidës Tottenham-Manchester United. Të dy trajnerët janë etiketuar si bomba me sahat pasi po kalojnë një situatë të mjerueshme me skuadrat e tyre përkatëse. Shumë ekspertë televizivë, ish-futbollistë dhe tifozë besojnë se ndeshja e së shtunës në stadiumin e Tottenhamit do të jetë faktori vendimtar nëse këtyre menaxherëve do t’u jepet mundësia për të qëndruar apo për t’u larguar.
Sportsmail ka analizuar udhëtimin e secilit trajner deri në këtë pikë dhe ka vlerësuar se sa e dëmshme do të jetë një humbje të shtunën në mbrëmje. Si lojtar Solskjaer ka fituar shumë trofe, por si trajner ai ka pak arritje. Trajneri relativisht i papërvojë arriti të marrë vetëm një medalje të argjendtë me Manchester United në finalen e Europa League në sezonin 2020-2021.
Megjithatë Solskjaer ka përqindjen e tretë më të mirë të fitoreve nga çdo trajner i Manchester United deri më tani. Të gjithë e dinë se janë trofetë, rekordet dhe rastet e mëdha që mbajnë një trajner në punën e tyre dhe duke parë rezultatet, Solskjaer mund të rrezikohet të humbasë të tijën. Pasi mori drejtimin në dhjetor 2018, Solskjaer theu rekorde – por negtive. United pësoi humbjen e tyre të parë në shtëpi nga Cardiff City që nga viti 1954, nga Burnley që nga viti 1962 dhe nga Sheffield United që nga viti 1973.
Sidoqoftë, ai arriti t’i kthejë gjërat dhe madje e udhëhoqi Manchester Unitedin në krye të tabelës në fillim të sezonit 2021-2022. Por tani United është në formën e tij më të keqe, pasi ka marrë një pikë nga katër ndeshjet e fundit. Si rezultat, Manchester United ndodhet në vendin e 15-të në Premier League me vetëm shtatë pikë pas gjashtë ndeshjeve.
Drejtuesit e Manchester United kanë qëndruar të heshtur mes spekulimeve në rritje për të ardhmen e trajnerit. Një vendim i tillë nuk duket pozitiv duke pasur parasysh se ata bënë të njëjtën gjë pak para shkarkimit të Mourinhos. Edhe Nuno Espirito Santo, trajneri i Tottenham nuk ndodhet aspak në një situatë të favorshme. Trajneri portugez, i cili mori drejtimin e Ëolves në 2017, tërhoqi vëmendjen e Levyt. Nuno tronditi shikuesit kur mposhti Manchester Cityn në nisjen e Premier League – duke treguar shenja se ishte në gjendje të shpëtonte një ekip që po fundosej.
Por ai nuk ka qenë në gjendje të mbajë një formë të tillë dhe Tottenham tani duket i dobët në mbrojtje dhe në mesfushë. Skuadrës gjithashtu i mugon kreativiteti dhe fuqia e finalizimit, ku bie në sy apatia e Harry Kane. Shumë fajësojnë Nuno për rënien e fundit të Tottenham në formë dhe statistikat flasin vetë. Ai ka regjistruar një përqindje më të ulët të fitoreve se paraardhësit e tij Pochettino dhe Mourinho. Por duket se midis Nunos dhe dyshes së golave Kane dhe Son mungon kimia.
Nuno duhet të kuptojë se si të nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij të shtunën, përndryshe ai mund të shkarkohet. Nëse Tottenham humbet, atëherë zërat që bëjnë thirrje për largimin e portugezit do të bëhen gjithnjë e më të forta. Për t’i bërë gjërat më keq për Nunon, rekordi i tij kundër Solskjaer nuk është i favorshëm. Ai ka arritur ta mposhtë vetëm dy herë trajnerin norvegjez edhe pse është përballur tetë herë me të.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




