Tirana fiton aktin e parë të finales së titullit

Basketboll | 3 vite më parë

Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar në basketboll për femra ka ngritur të martën siparin e “play-off”-it final të titullit “kampion”, me takimin e parë, që është luajtur në Pallatin e Sportit në Vlorë, midis Flamurtarit dhe Tiranës. Sfida midis vendaseve dhe kryeqytetaseve, dy skuadrave që e mbyllën sezonin e rregullt në dy vendet e para të renditjes, dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH 3 ka parë skuadrën mike që ta nisë më mirë, duke e fituar 10-minutëshin e parë me 4 pikë epërsi, 16-12.

Ndërkaq, edhe 10-minutëshi i dytë ka qenë i mbizotëruar nga Tirana, që do ta fitojë atë edhe më bindshëm, me shifrat 18-10, duke bërë që të dy ekipet të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave me epërsinë prej 12 pikësh të skuadrës kryeqytetase, 34-22.

Ndonëse skuadra vlonjate do të reagojë pas daljes nga dhomat e zhveshjeve, duke e nisur mirë 10-minutëshin e 3-të dhe duke vijuar ta fitojë atë me shifrat 24-15, janë kryeqytetaset që vijojnë të kryesojë pas një gjysmë ore lojë me vetëm 3 pikë epërsi, 49-46.

10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka parë skuadrën e Flamurtarit të vazhdojë të luftojë, por edhe Tirana do të kundërpërgjigjet dhe do ta fitojë këtë fraksion loje 12-11, duke bërë që ndeshja të mbyllet me fitoren e saj me shifrat 61-57. Tirana fiton kështu aktin e parë të finales së titullit në koshin e femrave dhe pret Flamurtarin në sfidën e dytë në kryeqytet pas pas ditësh.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme