Tirana dorëzohet në fund, Bashkimi i Prizrenit në finale

Basketboll | 3 vite më parë

Pasi ka mbyllur fazën e sezonit të rregullt, aty ku morën pjesë 6 skuadrat më të mira të të dy anëve të kufirit shqiptar, veprimtaria e përbashkët të basketbollit për femra midis Shqipërisë dhe Kosovës, Liga Unike, ka nisur të hënën në Prishtinë fazën e saj finale, teksa janë zhvilluar dy takimet gjysmëfinale. Kështu, takimi i parë i së hënës në mbrëmje ka qenë ai midis Bashkimit të Prizrenit dhe Tiranës. Skuadra nga Kosova e mbylli sezonin e rregullt me 10 fitore në po aq javë, ndërsa Tirana ishte e vetmja skuadër e mbetur nga Shqipëria në këtë “4-she finale”.

Por Tirana e ka nisur më mirë takimin, duke e fituar 10-minutëshin e parë me 3 pikë epërsi, 16-13. Por skuadra prizrenase do të kundërpërgjigjet në 10-minutëshin e dytë, që, ashtu si edhe ai pari, ka qenë i luftuar, duke e fituar atë me shifrat 18-15, dhe duke bërë që të dy ekipet të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave me epërsinë e minimale prej vetëm një pike të skuadrës së Bashkimit 31-30.

Të dyja skuadrat kanë dalë njëlloj të motivuara nga dhomat e zhveshjeve dhe 10-minutëshi i 3-të ka qenë edhe më i luftuar dhe i barazpeshuar dhe është mbyllur po ashtu në barazi 16-16, duke bërë që Bashkimi sidoqoftë të kryesojë kështu pas një gjysmë ore lojë me vetëm një pikë epërsi, 47-46.

Por 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka parë skuadrën nga Prizreni të tregohet e saktë, përballë një Tirane që gabon dhe shënon shumë pak, vetëm 6 pikë, kundrejt 26 pikëve të Bashkimi, që e fiton kështu gjithë ndeshjen 73-54, duke siguruar vendin në finalen e Ligës Unike në basketboll për femra.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme