Emocione dhe rivalitet, Flamurtari mund Tiranën

Flamurtari dhe Tirana kanë dhuruar një ndeshje me emocione dhe rivalitet në Ligën Unike në basketboll për femra. Këtë e tregon edhe rezultati i ngushtë, 66-63 në favorë të skuadrës vlonjate.
Rivalitet dhe emocione ka dhuruar ndeshja Flamurtari-Tirana në basketboll për femra, e vlefshme për Ligën Unike. Ashtu si gjithnjë, në historikun e sfidave të këtyre dy skuadrave, edhe këtë radhë, pritshmëritë nuk i kanë zhgënjyer tifozët në pallatin e sportit “Flamurtari”.
Këtë e tregon edhe rezultati, i cili vendosi ekipin fitues të kësaj ndeshjeje vetëm në sekondat e fundit. Rivaliteti është i dukshëm që në pjesën e parë, e cila mbyllet 22-21 për Flamurtarin. Në pjesën e dytë basketbollistet vlonjate luajnë më mirë se kundërshtari duke i mbyllur 20 minutat e para 38-33.
Krejt ndryshe ndodh pas pushimit. Eshtë Tirana që dominon duke përmbysur gjithçka në favorin e vet e duke i mbyllur 10 minutat e treta në avantazh 50-55. Fraksioni i fundit është shumë emocionues, kur basketbollistet e të dyja skuadrave kërkojnë të jenë sa më të sakta në veprimet e tyre.
Flamrutari ndryshon disi mënyrën e lojës së vet dhe është më i kujdesshëm në mbrojtje. Rivaliteti ruhet deri në sekondat e fundit, kur Myrto realizon për tri pikë dhe gjithçka mbyllet 66-63 për Flamurtarin.
Për skuadrën vlonjate kjo është fitorja e parë në Ligën Unike pas humbjes në Prizren ndaj Bashkimit, ndërsa Tirana regjistron humbjen e parë në dy ndeshje të luajtura.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




