Euroliga në RTSH, Reali dhuron spektakël

Basketboll | 3 vite më parë

Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit kontinental të meshkujve, Euroliga, ka tashmë Radio-Televizionin Shqiptar si adresën e saj për të gjithë sportdashësit e basketbollit në vend. Kjo sepse transmetuesi publik ka siguruar të drejtat ekskluzive për 3 sezone të koshit kontinanta të meshkujve dhe sportdashësit shqiptarë do të kenë mundësi të shijojnë dy prej sfidave më të spikatura çdo javë.

Gjithçka ka nisur të enjten në mbrëmje me një përballje spektakolare, siç ishte ajo midis Realit të Madridit dhe Olimpiakosit, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në RTSH Sport. Kjo përballje, që ishte në fakt një përsëritje e duelit të ashpër në “4-shen finale” të sezonit të shkuar, e vë skuadrën greke përballë asaj spanjolle, që është kampione në fuqi e kësaj veprimtarie.

Dhe Reali i Madridit, që erdhi si favorite në këtë sfidë të vlefshme për javën e 23-të të sezonit të rregullt të Euroligës, teksa kishte korrur 19 fitore dhe kishte pësuar vetëm 3 humbje në 22 javët e deritanishme, dhe kryeson bindshëm renditjen, e ka vendosur që në fillim autoritetin, duke e fituar thellë 10-minutëshin e parë 30-13, por edhe atë të dytin 27-17, duke shkuar në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 22 pikë epërsi, 52-30.

Por Olimpiakosi ka dalë një skuadër tjetër nga dhomat e zhveshjeve, duke reaguar dhe duke e fituar 10-minutëshin e 3-të 25-16, e duke vijuar ta ngushtojë deri në 7 pikë hendekun e pikëve 5 minuta para fundit. Por Reali i Madridit nuk lëshon dhe, përtej ngushtimit në 5 pikë të epërsisë, e mbron deri në fund fitoren me shifrat  90-85 ndaj Olimpiakosit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme