Teuta, entuziaste para Kupës së Shqipërisë

Basketboll | 4 vite më parë

Teuta në basketboll për meshkuj tanimë është gati për ndeshjen gjysmëfinale me Tirana Neptun në Kupën e Shqipërisë, e cila të shtunën do të luhet në ora 17:00 në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Fllakës. Melzin Lazimi, trajneri i “djemve të detit”, parë dhe ndeshjen e luajtur me Partizanin ka shpjeguar gjendjen e ekipit.

“Jam shumë i kënaqur, sidomos në ndeshjen me Partizanin, që besoj se ishte një ndeshje shumë e mirë. Arritëm të aktivizonim të gjithë lojtarët. Kemi folur sistematikisht gjatë gjithë janarit. Kemi bërë një fazë të mirë përgatitore dhe tani jemi gati për t’u paraqitur në Kupën e Shqipërisë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Lazimi.

I kënaqur për atmosferën në ekip është dhe Xherin Simpson.

“Atmosfera është shumë e mirë. E pëlqej shumë këtë ekip. Për më tepër dhe trajnerin e skuadrës”, bën të ditur amerikani.

E fokusi është tek Tirana, kundërshtar i cili ka qenë përballë Teutës dhe në finalen e Superkupës fituar nga bardheblutë. Lazimi dhe Simpson shpjegojnë.

“Ndeshja e parë na takon me Tiranën. Është një ndeshje e fortë, ashtu sikurse ishte dhe takimi i Superkupës. Besoj se fituesin do ta ndajnë detajet. Megjithatë jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi patur kohën e duhur për t’u përgatitur”, deklaron Lazimi.

“Tirana është një ekip shumë i mirë. Jemi ndeshur dhe në Superkupë dhe jam gati për të bërë një tjetër ndeshje të bukur”, nënvizon Simpson.

E në fund i pari i pankinës durrsake shpall dhe objektivin final të Teutës, titullin kampion, ashtu sikurse ka qenë edhe sezonin e kaluar.

“Tanimë për një vit e gjysëm kemi patur rezultate të shkëlqyera. Kemi qenë gjatë gjithë kohës në vendin e parë në kampionat. Arritëm të fitonim trofeun e tretë në gati 1 vit kohë. Dhe si rrjedhojë dëshira për të fituar mbetet e njëjtë”, ka përfunduar Lazimi.       


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme