Melzin Lazimi dorëhiqet nga Goga Basket

Basketboll | 5 vite më parë

Melzin Lazimi nuk është më trajneri i Goga Basket. Të paktën kështu ka lajmëruar Akademia “Goga Basket” të shtunën, ndërsa disa orë përpara ndeshjes me Partizanin, e cila të shtunën është luajtur në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt, Lazimi ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës.

Ky vendim i Lazimit, gjithnjë sipas njoftimit të Goga Basket, vjen si rrjedhojë e mosrealizimit të objektivit në marrjen e Kupës së Shqipërisë dhe mospërputhjes me strategjitë e Bordit për drejtimin e skuadrës në të ardhmen. “Falënderojmë Melzinin për kontributin e tij të deritanishem dhe respektojmë vendimin e tij”, thuhet në njoftimin e Goga Basket.

 “Në ditët në vijim do ju bëjmë me dije emrin e trainerit të ri të ekipit”, shpjegojnë drejtuesit e Goga Basket. Lazimi është trajneri që ka marrë të parin titull kampion me Goga Basket, kjo në sezonin 2018-2019. E më pas u rikthye në këtë skuadër në gushtin e 2020-ës, ndërsa Goga Basket u rendit e katërta në Ligën Unike.

Në ndeshjen e fundit në kampionat, Goga Basket, me Lazimin në krye, mundi Barleti-Eagles 132-56. Ndërkohë që pas dorëheqjes së Lazimit, drejtuesit e Goga Basket kanë bërë të ditur se vazhdon gara me objektivin për t’u rishpallur kampion të Shqipërisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme