Mesi-Alvarez eliminojnë Kroacinë, Argjentina në finale

Uncategorized | 4 vite më parë

Argjentina ka siguruar të martën vendin në finalen e madhe të një Botërori, për herë të 6-të në histori, pasi ka mundur Kroacinë me shifrat 3-0, në duelin e parë të gjysmëfinaleve, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, përkundër rrjedhës së lojës, teksa kroatët kanë bërë një vëllim më të madh loje në gjysmëorën e parë, është një gabim në mbrojtje i tyre që u dhuron amerikanolatinëve në minutën e 34-t mundësinë e një 11-metërshi, të cilin e shndërron në gol Lionel Mesi.

5 minuta më pas, janë këtë radhë një sërë gabimesh në qendër të mbrojtjes kroate që i japin mundësinë Alvarezit të gjejë golin e dytë të Argjentinës.

Me këtë epërsi të dyfishtë të Argjentinës do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa ajo e dyta do të përkufizohet nga veprimi vetjak i Mesit në minutën e 69-të, që i jep Alvarezit të shënojë edhe golin e 3-të të dy herë kampionëve të botës.

20 minutat në vijim dhe ato shtesë do të shohin Kroacinë të përpiqet, por pa patur as forcën, as qartësinë e as rrezikshmërinë e duhur, teksa Argjentina administron epërsinë dhe e mbron deri në fund fitoren me shifrat 3-0, duke mposhtur kështu Kroacinë dhe duke siguruan vendin në finalen e madhe të së dielës.

STATISTIKA

  • Lionel Messi ka shënuar 11 gola në Kupën e Botës, më shumë se çdo lojtar tjetër argjentinas në historinë e kompeticionit.
  • Që nga viti 1966, Lionel Messi është lojtari i parë që shënon dhe asiston në tre ndeshje të veçanta në një Botëror të vetëm.
  • Argjentina ka arritur në finalen e Kupës së Botës për herë të gjashtë në historinë e saj, vetëm Gjermania ka më shumë finale (8). Albiceleste nuk është eliminuar asnjëherë në gjysmëfinale.
  • Lionel Messi luajti sot në ndeshjen e tij të 25-të të Kupës së Botës, duke barazuar Lothar Matthäus si lojtari me më shumë paraqitje në historinë e kompeticionit.
  • Që nga edicioni i vitit 1966, asnjë lojtar nuk ka marrë pjesë në të paktën një gol (gol ose asist) në më shumë ndeshje të Kupës së Botës sesa Lionel Messi (13 – barazohet me Ronaldon e Brazilit).
  • Që nga viti 1966, duke përfshirë edhe shortin e penalltive, Lionel Messi është lojtari i parë që ka goditur të paktën 5 penallti (4 në 90 minuta, një pas kohës shtesë) në të njëjtin Botëror.
  • Messi bëhet lojtari i parë argjentinas që shënon në tre ndeshje me eliminim direkt në të njëjtin Botëror.
  • Lionel Messi u bë lojtari i parë që shënoi dhe asistoi në katër ndeshje të veçanta të Kupës së Botës (1966 e deri më tani).
  • Lionel Messi ka qenë aktivisht i përfshirë në 19 gola të Kupës së Botës (11 gola, 8 asistime), duke barazuar numrin më të madh të golave+asistimeve për një lojtar që nga viti 1966 (kur disponohen të dhënat e Opta), të vendosur më parë nga Miroslav Klose, Ronaldo dhe Gerd Müller.
  • Julian Alvarez ka shënuar në gjashtë nga tetë paraqitjet e tij për Argjentinën në të gjitha garat (7 gola).
  • Vetëm Carlos Desiderio Peucelle, në vitin 1930 kundër Shteteve të Bashkuara (21 vjeç, 316 ditë) ishte më i ri se Julian Alvarez sot (22 vjeç, 316 ditë) mes lojtarëve argjentinas të aftë për të shënuar të paktën 2 gola në një ndeshje eliminatore të Kupës së Botës.
  • Julián Álvarez (22 vjeç 316 ditë) është lojtari më i ri që ka shënuar dy gola në një gjysmëfinale ose finale të Kupës së Botës që nga Pelé në 1958 (17 vjeç 249 ditë).
  • Alvarez është lojtari i tretë që shënon dy herë në një gjysmëfinale të Kupës së Botës në shekullin e 21-të, pas Kroos dhe Schurrle në 2014.
  • Që nga viti 1966, Argjentina është skuadra e tretë që merr të paktën katër penallti në të njëjtin edicion të Botërorit, pas Holandës në 1978 dhe Portugalisë në 1966.
  • Luka Modric u bë lojtari i katërt që nis si titullar gjashtë ndeshje në një Botëror të vetëm pasi mbushi 37 vjeç pas Nilton Santos (Brazil, 1962), Dino Zoff (Itali, 1982) dhe Peter Shilton (Angli, 1990).
  • Paredes dhe de Paul të dy bënë paraqitjet e tyre të 50-ta për Argjentinën sonte.

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme