Ukraina, dëshira për normalitet: në Glasgow për një vend në Katar

Në Glasgoë, në orën 20.45, historia do të zbresë në fushë. Një komb në luftë, i pushtuar dhe i plagosur do të luajë për kualifikimin në Kupën e Botës. Skoci-Ukrainë, nuk do të jetë një ndeshje si asnjë tjetër, për shkak të ngarkesës emocionale që do të mbajë me vete, në të dyja krahët. “Kjo është ndeshja më e rëndësishme e futbollit në historinë e Ukrainës,” tha mesfushori i Dnipro, Oleksandr Pikhalyonok.
Edhe për skocezët, të thirrur për të mbrojtur ngjyrat e tyre dhe krenarinë e tyre sportive kombëtare, nuk do të jetë e lehtë të menaxhojnë situatën, domosdoshmërisht me një zemër pak të ndarë: “Ndjejmë simpati të madhe për popullin ukrainas, sigurisht. Nëse nuk do të isha skocez do ta mbështesja ashtu edhe unë. Ajo që ata po përjetojnë dhe ajo që ne po shohim është e tmerrshme, por për 90 apo 120 minuta duhet të ndajmë mendimet tona”, përshkruan statusin emocional para ndeshjes mbrojtësi Andy Robertson, kapiteni dhe njeriu-simbol i Skocisë.
Për Ukrainën, kjo ndeshje është e para që nga fillimi i pushtimit rus. Lojtarët u përgatitën ndryshe, disa vazhduan sezonin me klubet e tyre evropiane, të tjerët, ata që luanin në shtëpi, u ndalën. Tani kombëtarja verdheblu po stërvitet mijëra kilometra larg shtëpisë, në selinë në Brdo, pak kilometra në veri të Lubjanës, në Slloveni, ku lojtarët dhe stafi nisën të mbërrinin në fund të prillit. Është e vështirë të mendosh për futbollin kur zona të tëra në vendin tënd po bombardohen natë e ditë.
Trajneri Petrakov donte të regjistrohej në fillim të pushtimit, pastaj vendosi të dëgjonte thirrjen e ushtarëve dhe atyre në front: “Skuadra duhet të kualifikohet në Kupën e Botës, ne duhet të tregojmë se jemi gjallë”.
Edhe në rrjetet sociale, pavarësisht se situata vazhdon të jetë e njëjtët, kombëtarja zë një vend të rëndësishëm dhe mesazhet e mbështetjes janë të gjitha njësoj: “Duhet të shkojmë në Botëror, do të na bëjë të lumtur”.
Lojtarët që përfunduan kampionatin e tyre iu bashkuan gradualisht grumbullimit slloven: Oleksandr Zinchenko i Manchester City, Vitaly Mykolenko i Everton, Eduard Sobol i Club Brugge, sulmuesi i Benficas Roman Yaremchuk, Ruslan Malinovskyi i Atalanta dhe Andrij Lunin, i cili më 28 maj fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin.
Nëse fitojnë ndaj Skocisë, ekipi i Petrakov do të përballet me Uellsin. Me një sukses në këtë ndeshje të fundit, Ukraina do të arrinte në kampionatin botëror në Katar. Një kualifikim i bujshëm, të cilin vetë presidenti Volodomyr Zelensky e konsideron themelor në strategjinë për t’i rezistuar Rusisë. Një sipërmarrje që do t’u kthente një grimë gëzimi atyre që janë privuar prej muajsh.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



