Ceremonia e shortit, mes spektaklit dhe traditës

Botërori “Katar 2022” është i pari që zhvillohet në një vend arab dhe vendi organizator nuk e ka humbur rastin të shpalosë edhe një pjesë të kulturës dhe traditave të veta.
Ceremonia e shortit të grupeve, e cila mbahet 230 ditë përpara nisjes së vetë Botërorit të parë që do të mbahet në dimër, u zhvillua në Qendrën e Ekspozitave dhe Konventave në kryeqytetin e Katarit, Doha, prezantoi fillimisht maskotin e Kampionatit, të mbiquajtur si “La’iib”, që në arabisht do të thotë lojtar super i talentuar.
Më pas vijoi një spektakël i shkurtër me muzikë dhe veshje tradicionale, të ndërthurura me elementë modernë, si një ndërthurje e vendit organizator me mbarë botën.
Gjysmëora e parë e ceremonisë u drejtua nga aktori Idris Elba dhe prezantuesja e njohur sportive Reshmin Çoadhari, që mbuluan edhe pjesën e fjalimeve zyrtare, të mbajtur nga presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, por edhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.
Në fjalimin e tij, Infantino shprehu keqardhjen për gjendjen aktuale në botë, sidomos për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, duke bërë thirrje për paqe. Ndërsa Al Thani shprehur mirëseardhjen e tij për të gjithë futbollin botëror, duke garantuar një botëror si kurrë më parë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



