Anglia, Sauthgejt i kënaqur me shortin e grupeve

Shorti i fazës së grupeve të Kampionati Botëror, i cili do të mbajë në Katar fazën finale të edicionit të tij të 22-të, ka dhuruar të premte një sfidë interesante anglishtfolësish në grupin B, teksa Anglia do të përballet me Shtetet e Bashkuara, me Iranin por edhe me fituesen e “play-off”-it evropian, pasi Skocia do të ndeshet me Ukrainën në duelin e shtyrë, e më pas, fituesja e tyre do të sfidojë Uellsin për vendin në Botëror.
“SHBA dhe Irani janë dy skuadra me të cilat ne nuk jemi ndeshur prej shumë kohësh, ndërsa kundërshtarja e 3-të është ende e panjohur, por mund të dhurojë një derbi britanik”, – ka deklaruar trajneri i Anglisë, Gareth Sauthgejt, duke folur për BBC-në. “Ne duhet së pari të kalojmë grupin, – ka theksuar ai më tej, duke vijuar: “Objektivi ynë i parë është të kalojmë grupin dhe më pas të synojmë për më tepër. Kur je në vazon e parë, ke epërsinë e shmangies së 6-7 rivaleve kryesore dhe unë gjykoj se skuadrat favorite duhet të jenë të kënaqura me shortin.
Por kishte disa skuadra interesante në vazon e dytë dhe SHBA është njëra prej tyre. Ata kanë një brez të mirë lojtarësh dhe ne e dimë se çfarë janë në gjendje të bëjnë, kështu që përballja me ta është intriguese”, – ka përfunduar Sauthgejt.
Ndërsa kreu i Federatës së Futbollit të SHBA, Greg Berhalter, deklaroi për BBC-në se: “Mendoj se kemi një grup të mirë. Çdo kundërshtar në Botëror është sidoqoftë i vështirë. Me Anglinë është një përballje interesante, ndërsa me Iranin, që u paraqit mirë në Eliminatore, është një sfidë krej ndryshe.
Pastaj duhet të presim për të mësuar kundërshtaren e 3-të, por, në përgjithësi, unë jam i kënaqur me shortin dhe mezi po i pres ndeshjet”, – ka përfunduar ai. Anglia ndeshet me Iranin në ndeshjen e parë të Grupit B, më 21 nëntor, për ta luajtur 4 ditë më pas sfidën me SHBA-në dhe më 29 nëntor 2022 ndeshjen e 3-të.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



