Një tjetër skuadër amerikane në Formula 1

Formula 1 | 4 vite më parë

Andretti Global dhe General Motors janë gati të përfshihen në F1 me markën Cadillac. Ky është njoftimi i rëndësishëm që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gati për të vënë në treg dy ikona të motorsportit, të cilat duan të jenë pjesë e Formula 1. Ekipi i Andretti Cadillac me një strukturë mbështetëse në Angli, do të paraqesë një shprehje interesi sapo Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit të fillojë procesin formal për miratimin e kësaj hyrje të re.

“Qëllimi është të paraqitemi në fillim me një pilot amerikan në kabinën e Cadillacut. Andretti Global, nga ana tjetër, ka qenë prej kohësh një markë e njohur në garat amerikane me emrin Andretti Autosport, ekipet e të cilit aktualisht konkurrojnë në shtatë seri të ndryshme në mbarë botën. Hera e fundit që Andretti dhe GM u bashkuan ishte për kthimin e Chevrolet në IndyCar në vitin 2012, një fushatë që dha nëntë fitore në dy sezone, duke përfshirë fitimin e titujve për pilotë dhe atë ekipor.

Andretti shpjegon projektin si më poshtë: “Mendoj se projekti i F1 na përshtatet. Ne mund t’i sjellim vlerë këtij sporti dhe entuziazëm për fansat. Do të përpiqemi të ndërtojmë një ofertë të vërtetë amerikane të F1.” Tani topi i kalon FIA-s, e cila do të duhet të vlerësojë shprehjen e interesit duke kryer formalitetet e nevojshme për të shpallur të pranueshme kandidaturën e re për të hyrë në F1. Presidenti Mohammed Ben Sulayem shpjegoi: “FIA po shqyrton procesin e shprehjes së interesit dhe ne do të ofrojmë një përditësim të mëtejshëm në të ardhmen e afërt.

Lajmet e sotme nga Shtetet e Bashkuara janë dëshmi e mëtejshme e popullaritetit dhe rritjes së nivelit të kampionatit botëror të F1 nën udhëzimet e FIA-s. Procesi i shprehjes së interesit nga General Motors Cadillac dhe Andretti Global do të ndjekë protokollin rigoroz të FIA-s dhe do të zgjasë disa muaj” ka thënë presidenti i FIA-s.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme