FIA pezullon testet e Ferrarit

Fillimi i sezonit të makinave të kuqe ka nisur me një pengesë të vogël. Gjithçka ishte të martën për testin e parë të Ferrarit të vitit 2022 në pistën private të Fioranos. Piloti i ri testues Robert Shwartzman, nga Akademia e Maranellos, duhet të kishte dalë në pistë, për t’ia lënë më pas vendin, dy pilotëve zyrtarë të Ferrarit, Charles Leclerc dhe Carlos Sainz, me makinën SF21, me të cilën garuan në kampionatin e kaluar.
Por Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka kërkuar shtyrjen e këtyre testeve, për shkak të mosmarrëveshjes mbi interpretimin e rregullores që lidhet me makinat që mund të përdoren në teste private. Prandaj, Ferrari i ka nisur të mërkurën, një ditë më vonë, zyrtarisht testet, me Leclerc, por këtë radhë me një makinë të 2018, SF71H.
Në fakt të gjitha skuadrat, në marrëveshje me FIA-n, kishin vendosur që këtë vit makinat e sezonit 2021 mund të përdoren për testim. Por kjo marrëveshje nuk ka hyrë ende zyrtarisht në fuqi dhe kjo ka qenë pengesa e Ferrarit. Ishte vetëm një çështje e kujdesit nga ana e Federatës apo ndonjë ekip konkurrent i dërgoi një “sinjal” që detyroi FIA-n të ndërhynte?
Nga thashethemet, duket se skenari i dytë është më i saktë. Nuk duhe të çuditemi po të kemi parasysh betejën e ashpër të ankesave të Toto Wolff dhe Christian Horner gjatë Kupës së Botës së fundit. Imagjinoni se çfarë do të ndodhë kur makinat e reja njëvendëshe të vitit 2022 do të hyjnë në pistë për herë të parë në Barcelonë 23 shkurt. Do të ketë debate pafund për zgjidhjet më “të zgjuara” të miratuara nga ky apo ai ekip.
Testet në Fiorano, një veprim i zakonshëm ky i kërkuar nga Mattia Binotto, kanë rëndësi të dyfishtë. Për Leclerc e Sainz do të jetë një formë stërvitjeje, për të rimarrë formën pas pushimeve. Ndërsa për pilotin e ri rus, Shwartzman, do të fillojë një eksperiencë e re me makinat zyrtare të Ferrarit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




