F1, provat zyrtare në Spa shndërrohen në maratonë

Supozohej të niste në ora 14:45 dhe pritej të kishte mbaruar, në kushte normale, rreth orës 16:00, por ka përfunduar një orë më pas, në ora 17:00, duke u shndërruar në një nga provat zyrtare më dramatike të këtij sezoni të Formulës 1. Kanë qenë kushtet atmosferike ato që kanë ndikuar mjaft në ecurinë, por edhe zgjatjen e këtyre 3 seancave të provave zyrtare, që u ndërprenë edhe për shkak të një aksidenti të rëndë të Lando Norrisit, por në fund të së cilave Maks Verstapen mposhti Xhorxh Rasellin, për të marrë vendin e parë në nisje në garën e së dielës. Ljuis Hemiltoni do të niset i 3-ti, ndërsa krah tij, në radhën e nisjes do të rreshtohet Daniel Riçiardo.
Nga seanca e parë, që filloi me afro 20 minuta vonëse, deri në seancën e 3-të, skuadrat dhe pilotët i ndërruan shpesh gomat e makinave, të kushtëzuar nga lagështira e pistës. Me fillimin e saj, Norris u ankua në radio për ujë të tepër në pistë, ndërsa Sebastian Fetel, që ishte pas tij, kërkoi që seanca të ndalej. Por apeli i tij nuk u mor në konsideratë dhe pasi Norrisi pësoi një aksident të frikshëm, por, për fatin e tij të mirë pa pasoja, veterani gjerman iu hakërrye në radio drejtuesve të garës.
Pas një ndërprerje prej 40 minutash, seanca e 3-të filloi dhe pasi dyshja e “Mercedes”-it, Hemilton dhe Botas, dhanë kohët më të shpejta, ishte Rasëll regjistroi kohën më të shpejtë, por, në fund, ai u parakalua nga Verstapen, që regjistroi kohën 1 minutë, 59 sekonda e 765 të mijëtat. Sikundër provat zyrtare të së shtunës, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




