Volejboll/Shqipëria pëson humbjen e pestë, mundet nga Sllovakia

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Ndonëse është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me 3 ndeshjet e para, të luajtura javën e shkuar në Nitra të Sllovakisë, Kombëtarja shqiptare e volejbollit për meshkuj nuk ia ka dalë as në ndeshjen e dytë të takimeve të kthimit, që po luhen në Ploiesht të Rumanisë, të shmangë humbjen përballë Sllovakisë.

Dhe, ashtu sikundër kishte ndodhur edhe në ndeshjen e parë me sllovakët, kuqezinjtë ia kanë dalë ta marrin një set, atë të 3-tin, duke u mundur 1-3 në përballjen që erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 3. Ndryshe nga ndeshja e së premtes me Rumaninë vendase, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Jani Melka, pati fituar setin e parë, ndaj Sllovakisë, Shqipëria e ka nisur më dobët, duke e humbur setin e parë, 16-25.

Ka qenë diçka më ndryshe seti i dytë, por përfundimi ka qenë i njëjtë, teksa sllovakët e fitojnë edhe atë me shifrat 25-19. Seti i 3-të është krejt ndryshe, teksa Shqipërisë lufton pikë për pikë dhe beson deri në fund, ku gjithçka ka shkuar në pikët shtesë. Dhe janë kuqezinjtë që triumfojnë, me shifrat 27-25.

Por Sllovakia ka reaguar në setin e 4-t, duke e kryesuar atë vazhdimisht dhe duke e fituar atë 25-18 dhe gjithë ndeshjen pas një ore e 35 minutash, me rezultatin e përgjithshëm 3-1 me sete. Sllovakia ka siguruar edhe matematikisht kreun e renditjes së grupit E të Eliminatoreve, ndërsa Shqipëria mbetet në vendin e fundit dhe të dielën e mbyll pjesëmarrjen e saj në këtë fazë me duelin me Zvicrën, që gjithashtu do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 19:00.

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme