Fidel Ylli, presidenti i ri i KOKSH-it

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka mbajtur të shtunën Asamblenë e 24-t të Përgjithshme Zgjedhore, duke synuar kështu t’i japë fund amullisë disavjeçare që pati përfshirë këtë organizëm. Asambleja e cila është zhvilluar në periferi të kryeqytetit dhe është sjellë drejtpërdrejt në një maratonë disaorëshe nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, fillimisht në kanalin RTSH Sport e më pas në kanalin RTSH 3, është zhvilluar përgjithësisht e qetë dhe në përputhje me rendin e ditës. Pjesa më e rëndësishme ka qenë votimi për organet e reja drejtuese, aty ku, midis 3 kandidaturare për postin e Presidentit ka triumfuar Fidel Ylli, i cili ka marrë 40 vota, kundrejt 12 votave për Vojo Malon dhe 4 votave për Martin Bibën.
Ndërkohë që është votuar edhe për postin e Zv/Presidentit të KOKSH-it, aty ku kreu i volejbollit shqiptar, Erlind Pëllumbi ka triumfuar në raundin e dytë ndaj Denisa Rushit, ashtu sikundër edhe Genc Boga ka triumfuar në raundin e dytë ndaj Edlir Memajt për postin e mbajtësit të thesarit.
Kështu, Komiteti i ri ekzekutiv i KOKSH-it do të përbëhet nga Presidenti Fidel Ylli, Zv/Presidenti Erlind Pëllumbi, mbajtësi i thesarit, Genc Boga, anëtari që përfaqëson sportistët, Izmir Smajlaj, por edhe 7 anëtarë të tjerë, nga të cilët Gjergj Ruli, Luiza Gega dhe Florend Kalivopulli i kanë marrë që në raundin e parë votat e nevojshme, ndërsa për Tatjana Marash, Enkelejda Caushi, Labo Capo dhe Endrit Hoxha u deshën balotazhi i tretë dhe i katërt për ti zgjedhur si anëtarë të Komitetit Ekzekutiv.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




