Kimish “elozhe” Guardiolës, me Ançelotin nuk ishte e lehtë

Brenda pesë vitesh, Joshua Kimish është kthyer me shpejtësi nga një lojtar i divizionit të dytë në një lojtar të rregullt të padiskutueshëm te Bajerni i Mynihut dhe një kandidat kryesor për shiritin e kapitenit të ardhshëm. Por, 25-vjeçari gjithashtu kaloi kohë të vështira në Mynih, siç zbuloi në “FC Bayern Podcast”. “Gjithmonë ka faza, në të cilat ju keni dyshim në vetvete. Edhe tani, kur kemi fituar Ligën e Kampioneve, ka ndeshje ku nuk luaj edhe aq mirë vetë dhe pastaj mendoj që duhet të bëj më të mirën”, u shpreh Kimish para dëmtimit të tij në menisk. Konkretisht, Kimish u kthye në një lojtar të rëndësishëm te Bajerni, kur trajner ishte Karlo Ançeloti.
“Unë gjithashtu kam pasur një fazë më të vështirë te Bajerni kur drejtohej nga Karloja. Kam pasur një vit të parë shumë të mirë me Pepin paraprakisht. Kam ardhur si lojtar i divizionit të dytë dhe kam qenë një lojtar i kombëtares në fund të sezonit. Kam bërë një hap të madh atje. Kur ishte Karloja, fillimisht duhet të rrija në radhë, në prapavijë. Më pas, kishte ditë që duke qëndruar në shtëpi, pyesja veten nëse mjaftonte kjo që po bëja dhe nëse kisha cilësitë e mjaftueshme për të luajtur te Bajerni. Ka faza si kjo herë pas here, por gjithashtu kjo do të më ndihmonte që të ecja përpara”, ka rrëfyer Kimish.
Një hap i rëndësishëm në karrierën e tij ishte kalimi në Lajpcig në vitin 2013. “Kur isha i ri, kisha probleme për 3 ose 4 vjet, – tha Kimish, i cili pavarësisht se ishte i dëmtuar, angazhohej herë pas here për një kohë të gjatë, pa lejuar kurrë të shërohet siç duhet, sepse kishte frikë se mos i humbiste aftësitë e tij. – Unë isha me fat që të transferohesha nga Shtutgarti në Lajpcig kur isha 18 vjeç. Ndoshta do të kisha dashur të luaja dhe të stërvitesha përsëri menjëherë, por në atë kohë ata më thanë që duhet të qëndroja jashtë për 3 ose 4 muaj në mënyrë që të shërohej plotësisht dëmtimi që kisha”.
Ky ishte një vendim i rëndësishëm në atë kohë, sepse përndryshe, Kimish beson se ai nuk do të kishte arritur të ishte i qëndrueshëm për një kohë të gjatë: “Ambicia ime do të ishte të shkoja sa më lart”. Mikesha e tij, Lina Mejer, luan një rol qendror në jetën e Kimishit dhe i jep herë pas here reagime për atë çfarë ai bën: “Unë gjithmonë e pyes atë se çfarë mendon për lojën. Për mua është gjithmonë bukur të shoh se si e percepton dikush që nuk mund t’i gjykojë detajet”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




