Vora, poker golash ndaj Ilirisë

Vora afrohet me kreun në grupin A të Kategorisë së Dytë, teksa në javën e shtatë të kampionatit ka gjetur fitoren e katërt. Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen me Ilirinë e Fushë-Krujës, e cila është luajtur të shtunën në mesditë në stadiumin e Vorës dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Vorakët falë formacionit të ndërtuar me lojtarë të përvojës të ndërthurur mirë me futbollistët e rinj në moshë e dominojnë ndeshjen. Luhet gjithmonë me topa pas shpinës së mbrojtjes fushëkrujase, por jo në pak raste futbollistët e Vorës kanë rënë preh e pozicionit jashtë loje.
E megjithatë në harkun kohor të shtatë minutave Vora ka shënuar tre herë në portën e Locit. Fillimisht në të 28’ shënon Lala. Pas dy minutash realizon Bashaj dhe në të 35’ Magani fikson shifrat 3-0 për Vorën në pjesën e parë. Një pjesë e parë që pati një kontestim për golin e Maganit në pozicion jashtë loje, por dhe protesta nga pankina e Vorës, atje ku me karton të kuq nga gjyqtari Halo është larguar përgatitësi atletik, Arbis Vjerdha. Në pjesën e dytë një seri zëvendësimesh dhe vetëm në të 77’ Vora ka gjetur dhe golin e katërt, që ka firmën e Zenës.14 pikë për vorakët me një golaverazh 21-7, kurse Iliria mbetet në kuotën e 8 pikëve pas shtatë javësh me golaverazhin negativ 6-10.
Në ndeshjet e tjera të këtij grupi Veleçiku ka mundur Gramshin, 3-0, Valbona ka fituar me Murlanin, 0-1, kurse Sopoti ka mundur Shënkollin 3-1. Javën e mbyll të dielën Bulqiza – Ada. Po të dielën do të luhen dhe ndeshjet e grupit B të Kategorisë së Dytë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




