Flamurtari i Troisit, gati për Superiore

Futboll Vendi | 4 vite më parë

Flamurtari vijon përgatitjet për rinisjen e kampionatit të Kategorisë së Parë, teksa më 28 janar përballet me Apoloninë në transfertë. Kuqezinjtë kërkojnë të lënë pas ecurinë jo të mirë të ndeshjeve të fundit dhe të ngjiten në vendin e parë për të qenë ata kampionët e Kategorisë së Parë për sezonin 2022-2023. Në fushën stërvitore në Pyllin e Sodës të pranishëm gjatë stërvitjes së skuadrës ishin dhe afrimet e reja, ndërkohë që gjithçka ndiqej nga drejtori sportiv i Flamurtarit, Alfred Ferko. Për trajnerin e Flamurtarit, Marselo Troisi, skuadra është e aftë për t’u ngjitur në Superiore.

 “Skuadra nuk i ka ndryshuar objektivat. Luftojmë për t’u ngjitur në Superiore dhe do t’ia arrijmë qëllimit.  Kanë ardhur një portier, dy sulmues dhe një mesfushor, por dhe kështu siç është skuadra është përsëri në formë dhe e aftë për të qenë në Superiore”, thotë Troisi

Për drejtorin sportiv të Flamurtarit, Alfred Ferko, gjendja e skuadrës është e mirë. Përgatitjet e ekipit janë tepër serioze, teksa synimet për çdo futbollistë janë të qartë. Madje edhe afrimet në merkato janë bërë të atilla për të qenë Flamurtari në krye të renditjes.

“Jam i bindur që do t’ia arrijmë objektivit duke pasur parasysh që grupi që është dhe që do të forcohet dhe i gjithë stafi është i përqendruar. Kjo duke nisur nga presidenti deri tek i fundit për të realizuar objektivat tona”, nënvizon Ferko.

Në 5 ndeshjet e fundit vlonjatët kanë 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje dhe si të tillë duan që të rikthehen tek fitoret në transfertën e Apolonisë në Fier.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme