Oriku me fushë të re sportive

Oriku tashmë është zyrtarisht me fushën e vet sportive, ndërsa të martën është bërë dhe inaugurimi i këtij ambienti të ri. Kjo me praninë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sepse fusha e re e Orikut është bërë në bashkëpunim me institucionin e lartë të topkëmbës në vend dhe Bashkisë së Vlorës.
“Dua ta falënderoj Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, sepse në këtë bashkëpunim ka qenë shumë i gatshëm, mbështetës dhe bashkëpunues për ta bërë realitet këtë investim të rëndësishëm për futbollin”, ka theksuar i pari i futbollit shqiptar.
Edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka theksuar se mund të bëhet dhe më shumë në drejtim të infrastrukturës sportive.
“Pikërisht ky rezultat, kjo fushë e standardeve të larta ajo që na bën më tepër pozitiv, që na bën më tepër besimplotë që ne të gjithë së bashku mund të bëjmë më shumë”, thekson Leli.
Për administratorin e KF Orikut, Muharrem Jazoj, ky investim në terrenin sportiv i shton vlerat jo vetëm futbollit, por dhe qytetit në tërësi.
“Oriku – thotë Jazoj – do të ketë edhe më shumë skuadra futbolli e më shumë të rinj që do të merren me këtë sport. Premtoj që shpejt do të ngre dhe një ekip femrash, që edhe vajzat të merren me futbollin e të mbushin shkallët e stadiumit”.
Oriku pritet të luajë që këtë fundjavë në fushën e vet, ndërsa do të presë Apoloninë, kurse për të gjithë ekipet e moshave janë shpërndarë dhe uniformat në kuadrin e projektit Uniforma ime.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




