“Vetëm Markez mund të drejtonte një Honda”

Moto GP | 3 vite më parë

Momenti i vështirë që po përjeton sot Honda rrjedh edhe nga fakti se i vetmi pilot që në njëmbëdhjetë vitet e fundit ka arritur të jetë konkurrues me RC213V, Marc Marquez, ka pasur probleme fizike. Kjo, e kombinuar edhe me faktorë të tjerë si risia në aerodinamikë, e cila ka ngadalësuar disi shpejtësinë e motorit të prodhuesit japonez. Por pse vetëm Marquez ishte në gjendje të bënte diferencën me këtë motor? Jorge Lorenzo, që ka fituar pesë herë titullin kampion bote, e që ka drejtuar dhe garuar me atë tip Honda, tregon arsyet.

 “Marquez ka një stil shumë të veçantë drejtimi të motorit – tregon Lorenzo për të përditshmen As. – Që është shumë ndryshe nga i çdo piloti të zakonshëm. Ai frenon brutalisht dhe nisja e tij e mëpasme është ekstreme. Duke bërë këtë, Marc krijon një kimi të ve[antë me motorin duke bërë që ai t’i përshtatet mirë, por vetëm atij, e jo një piloti që ka një drejtim më standart të motorit”.

Sipas Lorenzos, arsyeja e gjendjes aktuale të Hondës është: “Dëmtimi që pësoi Marquez bëri që Honda të humbasë një lider që e ka udhëhequr drejt fitoreve në tre vitet e fundit, përpara dëmtimit të pilotit spanjoll. Kjo më pas përkoi me ngritjen e Ducatit e motori i prodhuesit italian ishte vërtet superior”.

Por tashmë prodhuesi i motorëve nga Tokio ka marrë masa e falë edhe koncesioneve të dhëna nga Dorna, pret të kthehet në krye të MotoGp që në vitin 2024, ku megjithatë nuk do të llogarisë më aftësitë e tetë herë kampionit të botës.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme