MotoGP, zjarr i fuqishëm në cirkuitin “Termas de Rio Hondo”

Moto GP | 6 vite më parë

Një zjarr i madh ka përfshirë kompleksin e pistës së garës së Moto GP-së në Argjentinë. Janë shkatërruar plotësisht ndërtesat ku akomodohen skuadrat, ndërsa pista e garës ka shpëtuar. Drejtori i pistës, Farina, ka deklaruar se do të bëjnë gjithçka që gara në vendin e tyre të bëhet sipas datës së caktuar. Kompleksi “Termas de Rio Hondo”, që do të presë Çmimin e Madh të Argjentinës, është përfshirë nga një zjarr i madh, i cili ka shkatërruar pjesën më të madhe të zonës së qëndrimit të skuadrave.

Zjarri ka filluar rreth orës 11:00 të së premtes në mbrëmje, teksa zjarrfikësit janë munduar të shuajnë vatrat e zjarrit. Shkaku i zjarrit është ende i panjohur, por mendohet të ketë shkatërruar pjesën më të madhe të vendit të qëndrimit të stafeve të skuadrave gjatë garës, sallën e konferencave të shtypit dhe zonat VIP, por për fat të mirë nuk ka asnjë të lënduar. Gara e këtij sezoni të Moto GP-së, është shtyrë për në fund të kalendarit për shkak të situatës së rëndë të krijuar nga epidemia e Covid-19.

Por ende nuk ka një datë të saktë. Drejtori i kompleksit Hektor Toti Farina, ka konfirmuar, që ndërtesat ku qëndrojnë skuadrat janë shkatërruar, por pjesa tjetër e kompleksit të pistës është shpëtuar nga zjarri. Ai deklaron se pista është plotësisht e siguruar nga dëmtimi i zjarrit dhe po planifikohet të fillojë rindërtimin e saj. “Fatkeqësisht e gjithë ndërtesa e akomodimit të skuadrave u shkatërrua nga zjarri, dhomat e konferencave të shtypit, të kontrollit të garës dhe zona VIP”, – shkruhej në deklaratë.

“Muzeu dhe kulla e kontrollit në skajet, së bashku me zyrat e tjera dhe qendrën mjekësore nuk kishin dëmtime të konsiderueshme. Falë Zotit, nuk pati viktima. Ne do të punojmë fort, për të bërë gjithçka që është e mundur për të përmbushur detyrimet që kemi, përfshirë edhe garën e MotoGP”, – ka përfunduar drejtuesi i kompleksit të garës argjentinase.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme