Kupa e Spanjës, akti i parë i “El Clasico”-s shkon për katalanasit

Për kapriço të shortit, por edhe për shkak të shtimit të veprimtarive në kalendar, në vetëm diçka më pak se 9 muaj, nga 24 korriku i vitit të shkuar e deri në fillim të prillit të këtij vit, do të jenë luajtur plot 6 përballje midis dy rivaleve më të mëdha të futbollit iberik, Realit të Madridit dhe Barcelonës. Kjo sepse këto dy gjigande të futbollit botëror po ndeshen sërish me njëra-tjetrën, kësaj radhe në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, siç njihet ndryshe Kupa e Spanjës.
Dhe dueli i parë është zhvilluar të enjten në mbrëmje, në Stadiumin “Santiago Bernabeu”, at ku Barcelona e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi minimale, falë një autogoli të madrilenëve në minutën e 26-të, me bashkëautorë Militaon dhe Naçon. Pjesa e dytë ka parë një lojë të hapur, ndonëse katalanët kanë shpërdoruar në mënyrë të pabesueshme në minutën e 72-të dhe një fundi dramatik, Barcelona e ka mundur Realin e Madridit 1-0.
Duhet kujtuar këtu se përtej asaj fitoreje minimale në miqësoren amerikane të parasezonit të katalanëve, Reali i Madridit ka fituar vetëm duelin e parë në kampionat, me shifrat 3-1, duke vijuar të mundet me të njëjtat shifra në finalen e Superkupës së Spanjës javë më parë, ndërsa dueli i kthimit në kampionat do të luhet midis dy sfidave të Kupës së Spanjës, më 19 mars 2023.
Sa i përket gjysmëfinales tjetër, shorti ka vënë përballë Osasunën me Atletik të Bilbaos dhe takimi i parë, i luajtur të mërkurën, u fitua nga vendasit me një gol të vetëm.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



