Kupa e Mbretit, të parat e gjysmëfinaleve

Pasi janë mbyllur në mesjavën e shkuar çerekfinalet dhe është hedhur edhe shorti për ndeshjet gjysmëfinale, Kupa e Mbretit, siç njihet ndryshe Kupa e Spanjës, rikthehet këtë mesjavë me dy duelet e para të këtyre gjysmëfinaleve. Ndryshe nga formula e deritanishme e këtij sezoni, ku gjithçka është përcaktuar nga një përballje e vetme, gjysmëfinalet e kësaj veprimtarie do të luhen me sistem vajtje-ardhje dhe takimet e para pritet të luhen të mërkurën dhe të enjten, më 9 dhe 10 shkurt, ndërsa ato të kthimit më 2 dhe 3 mars 2022.
Siç dihet, kjo veprimtari është një nga ekskluzivitetet madhore sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që po sjell takimet më të spikatura. Dhe shorti ka vendosur që Rajo Vajekano të përballet me Real Betisin, në takimin që do të vijë të mërkurën në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:00, në RTSH Sport. Ndërsa Atletik Bilbao do të ballafaqohet me Valencian, në takimin që do të vijë të enjten në mbrëmje, po duke nisur nga ora 21:00, në RTSH Sport.
Ky ka qenë në fakt një prej edicioneve më interesante në Kupën e Spanjës, pasi asnjëra nga skuadrat me traditë në këtë veprimtari, që ishin edhe favorite për ta fituar atë, nuk kanë arritur të sigurojnë vendin midis 4 më të mirave. Atletik Bilbao kaloi në gjysmëfinale pasi eliminoi Real Madridin, ndërsa Real Betisi eliminoi Real Sociedadin.
Valencia ia doli të mposhtë Kadizin, kurse Rajo Vajekano e vijoi sezonin e shkëlqyer, duke e eliminuar Majorkën. Skuadra modeste e kryeqytetit spanjoll arriti në gjysmëfinale të Kupës për herën e parë në këto 40 vitet e fundit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




