Dembele, me kontratë të tipit “Alemani”

Spanjë | 5 vite më parë

Blerjet e gabuara, nëse janë të tilla, gjithnjë duhen pranuar. Në fund të fundit, asnjë ekip në botë nuk mund të pretendojë se nuk ka dalë kurrë në blerjet e kryera në merkato, qoftë verore, apo dhe dimërore. Kohët e fundit, megjithëse te Barcelona po ekzagjerojnë, pavarësisht tripletës së fituar me Luis Enriken në pankinë, pothuajse të gjitha goditjet e mëdha të kësaj skuadre në vera ishin të paktën të dyshimta. Duke përjashtuar De Jong-un, të vetmin që duket se i takon të veshë realisht fanellën e Barçës, mes Kutinjos dhe Dembeles është e vështirë të përcaktohet se cili ishte shpenzimi më i dobët.

Francezi, megjithatë, vazhdon të jetë në planet e klubit deri në atë pikë sa Ksavi, në prezantimin e tij si trajner i ri, shpjegoi se rinovimi i kontratës së sulmuesit është një nga prioritetet. Por tekniku nuk e ka bërë të qartë se çfarë lloj kontrate do t’i ofrohet Dembeles. Atë e shpjegon gazeta katalanase “Sport”, e cila raporton se synimet e klubit janë t’i propozojë një marrëveshje futbollistit frances të stilit Alemani.

Një lloj kontrate që ka marrë emrin nga Mateu Alemanit, drejtor teknik i klubit blaugrana, i cili tashmë e ka përdorur këtë metodë si në kohën kur ishte në krye të Majorkës, ashtu dhe të Valencias. Qëllimi është i thjeshtë, të gjendet mënyra për të siguruar që mungesat e shumta të Dembeles, kjo për shkak të dëmtimit, të mos rëndojnë shumë në arkat e Barcelonës. Problemi është serioz, pasi që në momentin e mbërritjes në Katalonjë francezi ka pasur probleme fizike të të gjitha llojeve dhe sidomos muskujve.

Dhe duke marrë parasysh kushtet financiare të klubit, në “Kamp Nou” ata do të donin të shmangnin pagesën e një lojtari që shpesh është i padisponueshëm. Ideja është të ulet tarifa fikse e Dembeles, por në të njëjtën kohë të sigurohet që me një numër të mirë aktivizimesh paga të jetë po ajo. Në të vërtetë, në prani të një sërë bonusesh shtesë të ekipit, mund të jetë edhe më e lartë se sa është perceptuar deri më tani. Sa më shumë të luajë, aq më shumë paguhet, ky është koncepti.

Por tani Barcelona duhet të kalojë kontrollin e vetë lojtarit, i cili e di se sa do t’i duhet t’i lidhë fitimet e tij me një integritet fizik, që vazhdon të jetë një problem më vete. Klubi nga ana e tij dëshiron të tregojë se është i gatshëm ta mbajë Dembelenë, që në rast të prezencës së vazhdueshme atëherë do të fitonte shumë. Por me ish futbollistin e Borusia Dortmund, është më mirë të mos pritet asgjë, sepse zhgënjimi mund të jetë i madh.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme