Revolucioni i Barçës, 10 rregullat “ferr” të Ksavit

Spanjë | 5 vite më parë

Respektimi I rregullave është baza e projektit të trajnerit të ri të Barcelonës, Xavi Hernandez. Ish-mesfushori katalanas e bëri të qartë tashmë gjatë prezantimit se do t’i imponojë skuadrës së tij një sërë rregullash që i ka mësuar dhe respektuar si lojtar: “Gjërat kanë shkuar gjithmonë mirë kur ka pasur rregull dhe disiplinë në grup”. Gazeta spanjolle As ka zbuluar 10 rregullat që Xavi do t’i vendosë skuadrës, për ta ngritur atë nga vendi i nëntë në kampionat, me 11 pikë prapa kreut.

RREGULLAT

1 – Xavi do të vendosë një orar të ri për stërvitje: afati i fundit për ardhjen e lojtarëve do të jetë në orën 9.30, ose një orë e gjysmë para fillimit të seancës. Në këtë mënyrë do të ketë hapësirë ​​për bisedime individuale mes lojtarëve dhe ish-mesfushorit.

2 – Ndryshojnë oraret edhe për stafin, me ndihmësit e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të dhomave të zhveshjes, të cilët duhet të jenë të pranishëm 2 orë përpara seancës, për të qenë gati për ardhjen e lojtarëve.

3 – Blaugranasit gjatë ditëve do të duhet të drekojnë ekskluzivisht në dhomën e ngrënies së klubit, me një dietë të vendosur sipas parametrave të dietologëve të klubit.

4 – Xavi do të vendosë një kod të ashpër sjelljeje, me gjoba të parashikuara edhe për faullet e kryera në stërvitje. Kjo ide u mor direkt nga Guardiola.

5 – Do të parashikohen edhe gjoba për ata që vijnë me vonesë, të cilat do të rriten vazhdimisht në rast të gabimeve të përsëritura: gjoba e parë do të paguhet 100 euro, e dyta do të rritet në 200 e kështu me radhë.

6 – Do të ketë edhe kontroll të aktivitetit të jashtëm të skuadrës pranë ndeshjeve: lojtarët duhet të kthehen në shtëpi para mesnatës.

7 – Xavi do të zgjedhë lojtarët që do të dërgojë në fushë në bazë të një sistemi meritokracie. Nuk do të ketë titullarë të përhershëm: vendi në ekip duhet të fitohet me përkushtim si gjatë ndeshjeve ashtu edhe në stërvitje.

8 – Xavi dhe stafi i tij do të monitorojnë të gjitha aktivitetet e lojtarëve që mund të ndikojnë në performancën e tyre në fushë. Për shembull, shumë udhëtime private do të ndalohen.

9 – Të gjitha aktivitetet potencialisht të rrezikshme të lojtarëve do të ndalohen gjithashtu: Xavi dëshiron të shmangë lëndimet e reja në çdo mënyrë duke kufizuar lojtarët me dënime për shkeljet.

10 – Së fundi, të gjithë lojtarët duhet të ruajnë imazhin e mirë të klubit: duhet të respektojnë rregullat, të përshëndesin dhe të ndërveprojnë me tifozët, të inkurajojnë ekipin dhe të shmangin sjelljet e këqija.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme