Barcelona, “një rreze shprese” nga… Dubai

Spanjë | 5 vite më parë

Po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj, por një dritë në fund të tunelit po duket edhe për Barcelonën, edhe pse kjo dritë e ka origjinën nga Dubai i largët. Klubit katalan i është ofruar një mundësi e artë, sepse, sipas asaj që raportojnë mediat në Spanjë një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka ofruar të lehtësojë borxhin prej plot 1.2 miliardë stërlinash. Ky borxh ka krijuar një stuhi të vërtetë tek Barcelona, e cila u detyrua t’i thonte lamtumirë njërin prej lojtarëve më të mirë në histori, Lionel Mesit, që ishte shndërruar përgjatë këtyre dy 10-vjeçarëve të fundit në simbolin e klubit katalan.

Në përpjekje për të ulur kostot, Barcelona pranoi edhe largimin e Antuan Grizmanit drejt  Atletikos së Madridit, por edhe të një numri lojtarësh të tjerë që shtegtuan drejt klubeve të kampionateve të tjera kryesore të vendeve të Evropës. Me pak fjalë, gjendja e Barcelonës është e mjerë, por tanimë ka një rreze shprese se klubi mund ta rimarrë veten shumë shpejt. Presidenti Joan Laporta po shqyrton ofertën e një kompanie nga Dubai që ka ofruar të blejë borxhin prej 1.5 miliardë Euro (1.2 miliardë stërlina). Për më tepër, kompania në fjalë ofron që ky borxh të shlyhet për një periudhë prej deri në 12 vjet dhe me një interes mjaft të ulët.

Nëse Barcelona do ta pranonte këtë ofertë, klubi katalan do t’i merrte menjëherë këto 1.5 miliardë Euro, çka do të nënkuptonte stabilizimin e menjëhershëm financiar të tij. Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosin drejtuesit e gjigandes katalane, por duket se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të rikthyer Barcelonën tek lavdia e dikurshme.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme