Skënderbeu fiton edhe aktin e dytë të finales

Pasi e kishte fituar në 3 sete takimin e parë në shtëpi në duelin e parë të finales së Superligës së Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, Skënderbeu ka vijuar të dëshmojë qartë synimet për trofe këtë sezon, duke e mundur Tiranën 3-1 me sete edhe në kryeqytet.
Takimi i zhvilluar të mërkurën në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, ka parë skuadrën vendase, të drejtuar nga trajneri turk, Bylent Karshliollu ta fitojë bindshëm setin e parë, në 23 minuta, me shifrat 25-14.
Megjithatë, Skënderbeu do të reagojë, duke e fituar atë të dytin 25-21, në 27 minuta lojë, dhe duke vendosur kështu barazpeshën në sete. Skuadra e trajneri Orlando do të shfrytëzojë momentin e mirë, duke mbizotëruar edhe në setin e 3-të, të cilin e ka fituar me rezultatin 25-18, në 26 minutë, duke përmbysur kështu gjendjen e seteve në favor të saj.
Sikundër pritej, seti i 4-t ka qenë i luftuar, me Tiranën që përpiqet të mbetet në këtë përballje, por është Skënderue që e fiton edhe atë, 25-23, në 27 minuta, duke e marrë gjithë ndeshjen e dytë 3-1 me sete ndaj Partizanit.
Takimi i 3-të i finales për titull të rrjetës së femrave do të zhvillohet të shtunën, duke nisur nga ora 17:00, në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës, aty ku Skënderbeu do të synojë mbylljen e çështjes së titullit “kampion” në shtëpi, ndërsa Tirana për ta mbajtur tëp hapur këtë duel final.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




