DERBI, PAQE, RESPEKT DHE MIQËSI

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Tifozët dhe dashamirësit e futbollit janë po aq të rëndësishëm dhe të dashur për një klub futbolli. Po aq entuziazëm ka kur shohim atmosferë spektakolare në stadiume ku përkrahësit e çdo skuadre përjetojnë emocione përkatëse, krenarie sa edhe përfshihen ethshëm në simbolikën, filozofinë dhe historinë e klubit, derisa krijojnë edhe mite. Akoma më energjike bëhet kjo atmosferë kur ka ndeshje “DERBI”. Pavarësisht anës pozitive  dhe të bukur te kesaj energjie,  ekziston një anë shqetësuese që ka të bëjë me dhunën dhe gjuhën e urrejtjes midis tifo grupeve dhe individëve, e cila shfaqet brenda dhe jashtë stadiumit. Koret denigruese të njërës apo tjetrës palë, sharjet dhe fyerjet mes tifozëve të skuadrave kundërshtare, arbitrave, madje edhe lojtarëve. Duke u përballur me këtë situatë aspak të këndshme, kjo pa diskutim që kufizon pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve, vajzave, grave, familjarëve dhe aq më shumë edhe fëmijëve. E të gjitha këtyre shtresave vajtja në stadium, apo ndjekja e një derbi, që duhet të jetë një spektakël dhe të edukojë modele qytetarie, kthehet në një situatë ku njerëzit, në vend që të argëtohen, shqetësohen duke u vënë në siklet kur marrin pjesë në të tilla ambiente.

Në tentativë për të zgjidhur këtë shqetësim, një nisë, ka marrë jetë për ndërgjegjësimin e të rinjve të tifo grupeve e quajtur Fans Poëer “Uniting for respect”.  Pra të bashkuar përmes respektit. Kjo nismë mbështetet nga dy agjencitë e Kombeve të Bashkuara UNDP dhe UNFPA dhe e zbatuar nga ASSA (Shoqata Shqiptare e Shkencave Sportive).  Projekti “Uniting for respect – Të bashkuar përmes respektit” ka marrë jetë duke përfshirë dy klubet më historike të kryeqytetit Partizani dhe Tirana, në tentativën e përbashkët për të sensibilizuar dhe ndërgjegjesuar tifozët në luftën kundër dhunës dhe gjuhës së urrejtjes brenda dhe jashtë fushës së blertë. Kjo nismë, po ashtu. ka në fokus minimizimin e agresivitetit të tifozërive në derbin (Partizani – Tirana). E shtrirë në disa faza, projekti ka nisur me tifo grupe të rinjsh të të dy klubeve, Partizani dhe Tirana. Në një proces njohje dhe ndërgjegjësimi me takime mes tyre (tifozeve të rinj), vizitave shkëmbyese pranë klubeve me përfaqësues dhe zyrtarë të klubeve respektive, të cilët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe distancimit të akteve të dhunës apo gjuhës denigruese dhe ofenduese, që në fakt vetëm se largojnë përkrahësit nga stadiumi dhe që akte të tilla nuk janë në frymën sportive. Pjesëmarrësit gjithashtu kanë vijuar takime pranë FSHF-së si institucioni përgjegjës për drejtimin dhe zhvillimin e sportit të futbollit në Shqipëri dhe për të njohur më shumë rreth masave apo aspektet institucionale.

Tifozët e rinj kanë patur mundësi të marrin informacion dhe përjetime nga persona kyç në role të ndryshme si lojtarë, trajnerë, drejtues të klubeve, si dhe gazetarë sportivë duke vlerësuar një panoramë të plotë të parë në dimensione dhe role të ndryshme shqetësimin mbi dhunën dhe gjuhës së urrejtjes.

Derbi i kryeqytetit të datës 16 shkurt 2024, i mblodhi së bashku pjesëmarrësit e të dy tifozerive duke dhënë një model bashkëpunimi për të treguar qytetarinë pavarësisht përkrahjes së skuadrave të ndryshme. Jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe lojtarët e të dyja klubeve iu bashkuan nismës duke dhënë këtë mesazh drejtuar të gjithë tifozëve:

“Të dashur tifozë, dashamirës te sportit te futbollit. Ne lojtaret i jemi bashkuar nje projekti te Kombeve te Bashkuara që promovon luftën kundër gjuhës së urrejtjes në çdo mjedis, përfshirë edhe mjediset sportive, duke e konsideruar sportin si një mjet për bashkim dhe jo ndarje. Sot kemi një mesazh të rëndësishëm dhe dëshirojmë që ta ndajmë me ju duke promovuar pjesëmarrjen e sa më shumë njerëzve pa ndasi dhe pa paragjykime të udhëhequr në parimet e Gjithëpërfshirjes – Barazisë – Besimit. Slogani që duam të ndajmë sot është: Fjala Vret! Peshoje ate! Sot ju Fansa keni fuqinë që të bashkoheni përmes respektit duke përjashtuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes. Për të lejuar sa më shumë vajza dhe gra, motra dhe të afërm në stadium peshojini fjalet dhe shijojeni sa me shume derbin”.

Një nga pjesëmarrësit shprehet: “Është shumë bukur kur e shijojmë derbin së bashku në frymën e respektit, qytetarisë dhe të ndryshmes, në vend që të shajmë dhe ofendojmë, apo më keq aktet e dhunës, e cila mund të qëllojë që ti drejtohet edhe familjarëve tanë vetëm se përkrahin një skuadër tjetër. “Mos i dëgjo ti baba çfarë thonë këta” ishte një koment që i bënte i ati (i vënë në siklet) birit të tij 7-vjeçar që e kishte marrë në stadium për të ndjekur derbin, ndërsa ishin disa tifozë që nuk e konsideronin përbërjen e mjedisit dhe lëshonin sharje dhe ofendime.

Ky projekt pritet të shtrihet dhe në klube dhe sporte të tjera për të rritur impaktin social, tolerancën dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes nga tifozët e rinj të klubeve të futbollit dhe sporteve të tjera të udhëhequr në parimet e Gjithëpërfshirjes, Barazisë dhe Besimit. Jemi të bindur që një iniciativë e tillë do të ketë një impakt pozitiv që tifozët të kenë një qasje më të duhur qytetare, larg gjuhës së urrejtjes, prani më të madhe të femrave dhe familjarëve në stadiume/ambientet sportive.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme