Një vit nga dëmtimi, Nadal rikthehet me fitore

Pas një viti mungesë, Rafael Nadal rikthehet me një paraqitje më se bindëse, duke mposhtur në dy sete (7-5, 6-1) austriakun Dominic Thiem dhe duke u kualifikuar kështu në turin e dytë të turneut në Brisbane të Australisë.
Spanjolli, i ndalur nga problemet fizike që e detyruan t’i nënshtrohej një operacioni, kontrolloi një set të parë shumë të ekuilibruar dhe më pas të dytin e fitoi me lehtësi, falë rënies së energjive të kundërshtarit, në një ndeshje që zgjati më pak se një orë e gjysmë.
Me fitoren e tij të 1069-të, Nadal kaloi ish-numrin 1 të botës, Ivan Lendl në tabelën e liderëve të të gjitha kohërave. Vetëm Jimmy Connors (1274), Roger Federer (1251) dhe Novak Djokovic (1088) mbeten përpara spanjollit. Pas fitores, Rafael Nadal do të thoshte fjalët e para.
“Pata rastin të kthehem pas një viti dhe të luaj përballë një publiku fantastik. Sinqerisht, sezoni i kaluar jashtë turneut ishte ndoshta viti më i keq i jetës sime. Para ndeshjes isha nervoz sepse nuk e dija se në çfarë gjendja isha. Mendoj se luajta mjaft mirë dhe dashuria e publikut më bën vërtetë të lumtur”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




