Luiza Gega thyen rekordin kombëtar

Kishte kërkuar ta mbyllte vitin me një rezultat pozitiv dhe të enjten në mbrëmje ia ka dalë, teksa ka thyer rekordin kombëtar të garës së 3,000 m me pengesa, që e mbante po vetë. E teksa dëmtimi që kishte pësuar prej 3 javësh e pati penguar në finalen e kësaj gare pak ditë më parë në Kampionatit Botëror të Atletikës, që u mbajt në kryeqytetin e Hugarisë, Budapest, aty ku u detyrua të kënaqej me vendin e 8-të në botë, të enjten ajo ka kapërcyer veten, duke shkruar një tjetër kapitull të artë të historisë së atletikës shqiptare.
Këtë herë Gega ka spikatur në garën e radhës së evenimentit prestigjioz, “Diamond League”, të mbajtur në Zyrih. Kampionia kuqezi ka fiksuar kohën 9:09.64 në garën e mbrëmjes së të enjtes, duke stampuar kështu rekordin e radhës në një karrierë të pabesueshme. Luiza përmirëson me thuajse një sekondë kohën e saj të mëparshme, 9:10.27, të cilën e kishte regjistruar një vit më parë në Kampionatin Botëror në SHBA. Duhet theksuar se edhe në “Diamond League” Luiza nuk ishte në formën e saj më të mirë fizike, pasi ende nuk e ka kapërcyer plotësisht dëmtimin.
Megjithatë ajo bëri një paraqitje mbresëlënëse, teksa në garën e radhës në “Diamond League” morën pjesën atletet më të mira të botës. Me kohën 9:09.64, Gega u klasifikua në vend të 4-t, ndërsa i gjithë podiumi i Zyrihut u formua nga treshja e parë e Botërorit të Budapestit, teksa në vend të parë u rendit keniania Mutile Uinfred Yavi, e cila përfaqëson Bahrejnin dhe pas saj erdhën dy sportistet e Kenias, Beatris Çepkoeç dhe Faith Çerotiç.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




