“Gudar Beqiraj” për Partizanin dhe Tiranën

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Partizani dhe Tirana, por dhe Enkilejda Carja dhe Ertian Kofsha ishin më të mirët e Kupës së Shqipërisë në peshëngritjes, që kishte emrin e një figure të shtangës kuqezi si Gudar Beqiraj. Kupa e Shqipërisë u zhvillua në ambientet e palestrës së ekipit kombëtar të peshëngritjes në Parkun Olimpik, ndërsa sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Renada Kamberaj, ka shpjeguar për RTSH Sport se përse është zgjedhur kjo kohë për garim, ndërsa të gjithë mund të jenë edhe me mbingarkesën e përgatitjes për aktivitetet ndërkombëtare.

“Kjo ndodh më tepër edhe për të parë sportistët, të cilët ne do të dërgojmë dhe do të marrin pjesë në Kampionatet Europiane që kemi muajin tjetër, sepse vetëm kështu shohim formën dhe gjendjen e tyre reale”, thotë sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Renada Kamberaj.

Kampionati Europian i moshës 15 dhe 17 vjeç, që zhvillohet në Moldavi, dhe ai i moshës 20 dhe 23 vjeç, i cili bëhet në Rumani, është dhe preokupacioni kryesor për kandidatët e ekipit kombëtar të këtyre grupmoshave. E kjo Kupë Shqipërie ishte një provë për ta, Kamberaj ka shpjeguar dhe gjendjen reale të atyre që pretendojnë të marrin medalje në këto aktivitete.

“Me aq sa kemi parë deri më tani medaljet i kemi të sigurta, medalje ari. Kjo si nga sportistja Enkilejda Carja, e cila është një sportiste e re, por shumë e talentuar, ashtu dhe Samuel Rrasa. Këto janë dy sportistët, që do të marrin pjesë në Moldavi. Gjithashtu presim medalje dhe në fund të korrikut nga data 24, teksa do të jetë Ertian Kofsha”, thotë Kamberaj.

E ndërkohë peshëngritja do të vazhdojë të jetë në aktivitet, aq më tepër që Kampionati Botëror i të rriturve në shtator në Riad është një tjetër aktivitet i rëndësishëm për të shkuar me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme