Alvin Karaqi, karateisti i artë i Shqipërisë

Alvin Karaqi, medalja e parë e artë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Europiane në karate, nga Zvicra ku dhe jeton ka treguar emocionet dhe pritshmëritë e tij për këtë arritje në peshën deri në 84 kilogram.
“Është hera e tretë që kualifikohem për në Lojërat Olimpike Europiane dhe kualifikimi në karate për këto Lojëra është një gjë shumë e vështirë. Sepse në të marrin pjesë vetëm 8 karateistët më të mirë të Europës. Unë isha dy herë atje dhe humba dy medaljen e bronztë dhe këtë herë i thash vetes që nuk kam për ta humbur shansin”, thotë Alvin Karaqi.
Më 2014-ën ai ishte nënkampion Europe për moshën deri në 21 vjeç, kurse sot është medalist i artë në Lojërat Olimpike Europiane. Por si ka qenë karriera e Alvin Karaqit nga Europiani i U-21 më 2014-ën në Lojërat Olimpike Europiane?
“Koha në mes këtyre dy aktiviteteve ishte një kohë shumë e vështirë për karrierën time. Sido që të jetë kishte shumë rezultate të mira pasi isha i treti në Ballkan. Isha i treti në Mesdhe dhe i treti në ranglistën botërore. Isha Kampion Europe për Universitetet, apo i treti në Botë për Universitetet. Kështu që nuk ishte një periudhë e mangët për nga rezultatet. Por sido që të jetë karriera ime u zbukuar me medaljen më të madhe të një sportisti, që ishte e arta në Lojërat Olimpike Europiane”, shpjegon medalisti i artë në Lojërat Olimpike Europiane.
Jo vetëm sportist i suksesshëm, por dhe doktor i tillë. Sport e punë, por Karaqi ka ditur ta ndajë kohën.
“Shumë e vështirë të ndahet koha, por nuk e njoh jetën time ndryshe. Që nga studimet kam patur një angazhim më të madh krahasuar me shoqërinë time. Sepse më duhej të stërvitesha dy herë në ditë dhe të shkoja në shkollë e të mësoja e të përgatitesha për më tej. Tani është i njëjti ritëm, tanimë si mjek me më shumë përgjegjësi”, nënvizon Karaqi.
A do të jetë Karaqi në Lojërat Olimpike “Paris 2024”?
“Alvini fatkeqësisht nuk do të jetë në “Paris 2024″, sepse karateja është hequr nga sportet olimpike. Mundet të jem si mjek, por jo si sportist e kjo është fatkeqësi për mua. E kjo është jo vetëm për mua, por për të gjithë karateistët e Botës”, përfundon Alvin Karaqi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




