Indri Hoxha, gati për Botërorin e Singaporit

Indri Hoxha është përfaqësuesi i Shqipërisë në evenimentin ndërkombëtar të Federatës Botërore të Automobilizmit. Madje është një bashkëpunim mes Federatës Botërore të Automobilizmit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Bëhet fjalë për kategorinë Esports, të ndryshe gara elektronike me makina nëpërmjet simulatorit. Kjo Olimpiadë e kësaj kategorie, nëse do të cilësohet kështu, zhvillohet në Singapor dhe Indri Hoxha tregon për RTSH Sport pretendimet e tij.
“Pretendojmë të paktën të shkojmë në finale dhe jemi kundër shteteve më të përgatitur. Këtu nuk po përmend vendet e para si Itali, Gjermani, apo Angli. Por mendoj se do t’ia dalim deri në finale dhe pastaj pas finales mendoj se do të jetë diçka më e vështirë, sepse bëhet fjalë për nivelin e dytë i vështirësisë”, thotë Hoxha.
Indri Hoxha tregon se është një disiplinë e vështirë ndaj kundërshtarëve më të përgatitur. Por megjithatë ai është i bindur se mund t’ia dalë.
“Një sportist i simulatorit në këtë rast ndryshon shumë nga disiplinat e tjera të motosportit. Mirëpo unë jam përshtatur me këto lloj disipline”, thekson Hoxha.
Por sa kohë i është dashur për t’u përgatitur për këtë aktivitet?
“Përgatitja nuk ka qenë shumë e gjatë pasi edhe lajmi nga Autoclub Albania erdhi para pak kohësh, sepse e tillë ishte situata. Por them se mund të kem ndonjë javë që merrem me këtë lloj disipline, që në fakt është shumë pak”, nënvizon piloti shqiptar.
E Hoxha shpreson që të jetë një shembull për të tjerët për t’u marrë me disiplinat e sportit të motorrave, madje dhe kështu në sistemin elektronik.
“Shembuj ne jemi munduar të japim gjatë gjithë kohës në të gjitha disiplinat e mundshme. Qoftë me Autoclub Albania, apo dhe Iliria Sports ku unë jam pjesë, jemi munduar ta zhvillojmë këtë sport jashtë mase paçka se ka pengesa të tipit buxhetet, apo mbështetjet nga palët e treta”, përfundon Indri Hoxha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




