Redi Bakiri tek Pool Libertas Cantu

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Redi Bakiri tashmë ka ngjitur shkallët e karrierës, teksa tashmë do të jetë pjesë e Pool Libertas Kantu për sezonin 2023-2024. Dhe bëhet shqiptari i parë i cili do të aktivizohet në këtë skuadër, ndërsa Bakiri, i datëlindjes 2000 dhe në pozicionin e diagonalistit me pasin, do të forcojë organikën e skuadrës që militon në serinë A2. Është lojtari i dytë i huaj në këtë ekip, i cili do të bëjë dyshen e sulmit të Pool Libertas Kantu, së bashku me francezin Xhonas Aguenier. Ja dhe fjalët e para të Bakirit si pjesë e skuadrës Pool Libertas Kantu.

“Seria A2 – thotë Bakiri – është një kampionat i bukur, por i vështirë, me shumë skuadra cilësore. Kjo sfidë më pëlqen. Do të doja të bëja mirë me shokët e mi për të arritur më pas në Play-off për t’u ngjitur në Serinë A1. Në nivelin personal do të doja të përmisohesha sa më shumë të jetë e mundur për të qenë një pikë e fortë për skuadrën për të arritur objektivat që kemi”.

Bakiri ka luajtur me Elbasanin e Partizanin në Shqipëri. Më pas është aktivizuar në Francë, Turqi, Malin e Zi, Poloninë dhe Austrinë, ndërsa tanimë ka mbërritur ora për të provuar egërsinë e kampionatit italian, atje ku do të provojë shanset për të qenë përsëri protagonist. “Për mua – thotë Bakiri – bëhet fjalë për një mundësi shumë të madhe. E dua Italinë, njoh gjuhën dhe kam patur dhe një eksperiencë në Siena, që në fakt më ka pëlqyer shumë. Tani jam i gatshëm për të nisur përgatitjet dhe për të njohur shokët e mi. Kam folur me trajnerin, ndërsa kam patur një përshtypje të mirë”.

Trajneri i Pool Libertas Kantu, Françesko Denora, pret që Bakiri të shpërthejë sapo të nisin ndeshjet zyrtare. “Kemi zgjedhur Bakirin pas një shikimi të vëmëndshëm të asaj që ofronte merkato. Na ka mahnitur për cilësitë e tij teknike dhe fizike, ka një shpërthim të hatashëm, të cilin e shfrytëzon në sulm, dhe një fantazi të jashtëzakonshme në goditje. Ndaj e kemi marrë sepse i përshtatet skuadrës. Dhe besoj se nuk do t’i duhet shumë për t’u përshtatur me ekipin, ndërsa ne do të bëjmë maksimumin për ta bërë sa më të lehtë këtë proces”, ka përfunduar Denora.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme