Europiani i Mundjes U-17 ngre siparin në Tiranë

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Kampionati Europian i mundjes për moshën deri në 17 vjeç të hënën ka ngritur siparin në sallën olimpike “Feti Borova”. 36 shtete kanë sjellë 800 sportistë, ndërsa do të konkurrohet në stilin greko-romak apo atë klasik, si dhe në stilin e lirë, teksa do të ketë dhe mundje për femra. Një kampionat që nisi të hënën për të përfunduar të dielën, ndërsa ceremonia e hapjes së këtij evenimenti ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ka dhënë pllakata “Mirënjohje” për zëvendësministrin e Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxhën, nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi, si dhe zëvendëspresidentin e Federatës Botërore të Mundjes, Teodoros Hamakos, të cilët nuk kanë munguar të shprehin përshtypjet e tyre për këtë Europian.

“Së pari dua të falënderoj të ftuarit tanë që na kanë nderuar nga e gjithë Europa. Një përgëzim nga zemra duke qenë se prania e tyre e bën këtë aktivitet të rëndësishëm. Kështu që një duartrokitje e madhe për të gjithë ato ekipe që janë këtu me ne. Për Federatën tonë është një nga evenimentet më të rëndësishme. Sigurisht që Federata e ka dëshmuar që tashmë Shqipëria, Tirana, mundja mund të organizojë një eveniment të këtyre përmasave siç është Kampionati Europian U-17”, thotë Prizreni.

“Është një nder i madh të ndodhem këtu në këtë eveniment dhe në këtë Europian, i cili shënon për Shqipërinë, dhe këtë e them me bindje dhe me plotgojë, medaljen e dytë të artë, kjo pas asaj që na dha mundësi ynë në Botërorin e kaluar”, nënvizon zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.

“Ne jemi shumë të lumtur që në këtë ditë e në këtë qershor jemi duke mirëpritur Kampionatin Europian të Mundjes për 17-vjeçarët. Aktualisht jemi në këtë ambient, i cili është rinovuar nga Bashkia e Tiranës dhe në të njëjtën kohë ne kemi punuar fort me të gjitha palestrat e shkollave, sepse e kemi në qendër të vëmendjes sonë kthimin e sportit në të gjithë komunitetin tonë të të rinjve e jo vetëm”, shpjegon nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi.   

 “Së pari një falënderim shkon për mikun tonë të Federatës Botërore dhe Europiane të Mundjes, Sahit Prizreni. Së dyti duhet t’i uroj fat të mbarë të gjithë skuadrave pjesëmarrëse në këtë Kampionat, që gjen këtë ambient të mrekullueshëm në Tiranë, e cila dhe një herë tjetër tregon se di të mirëpres aktivitetet e mundjes. Jam i bindur se gjithçka do të shkojë mirë. Ndaj dhe një herë suksese të gjithëve”, pohon zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Theodhoros Hamakos.

Vallet karakteristike të Shqipërisë, të cilat preken të gjitha trevat e vendit, mbyllen dhe ceremoninë e hapjes së Kampionatit Europian të mundjes për moshën deri në 17 vjeç, ndërsa tanimë, kjo deri më 18 qershor, fjalën e ka tapeti. Ndërkohë në këtë Europian, Bjellorusia dhe Rusia marrin pjesë si një shtet i vetëm neutral për shkak të Luftës në Ukrainë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme