Novak Djokovic, në gjysmëfinale të Australian Open

Në përfundim të një ndeshjeje në limitin e perfeksionit, Novak Djokovic kalon në gjysmëfinale të Australian Open. Tenisti serb ka mundur 3-0 me sete 6-1, 6-2 e 6-4 rusin Andrey Rublev, në fund të një ndeshjeje që zgjati 2 orë e 3 minuta. Një sfidë që pati vetëm një kah, pasi Nole e vuri menjëherë rusin në vështirësi, që në setin e parë. Edhe në dy të tjerët Rublev nuk arriti të rezistojë. Djokovic arrin kështu suksesin e 26-të radhazi në Australian Open. Tashmë ai do të përballet me Tommy Paul.
Amerikani kualifikohet në gjysmëfinale pasi mundi bashkëkombasin Ben Shelton me rezultatin 3-1, me sete 7-6, 6-3, 5-7 e 6-4. Kjo është arritja më e madhe në karrierë për amerikanin. Paul, aktualisht numri 35 në renditjen botërore, në përfundim të ndeshjes me Djokovic do të ketë me siguri një ngjitje në klasifikimin ATP. Me sfidën ndaj Paul, tenisti serb do të synojë të luajë finalen e 10-të në Slamin e Melbournet.
Dhe ëndrra për suksesin e tij të 10-të në Australian Open dhe për Slemin e 22-të në karrierë është më pranë se kurrë për Xhokoviçin. Në gjysmëfinalen tjetër për meshkuj do të përballen Stefanos Tsitsipas e Karen Khachanov. Tsisipas rikthehet në gjysmëfinalen e Australian Open për herë të katërt në 5 vitet e fundit. Tenisti grek, i treti në renditjen botërore, ka mundur çekun Lehecka, numrin 71 në botë, me rezultatin 3-0.
Nëse fiton turneun, slemin e parë në karrierë për të, Tsisipas do të bëhej numri 1 në botë, duke kaluar Alcaraz. Të premten do të përballet me rusin Karen Khachanov.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




