Shahu, seri aktivitetesh në Shëngjin

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Shëngjini ishte mikpritësi i Festivalit të Shahut në këto javë të fundit, teksa është zhvilluar kampionati kombëtar ekipor, kampionati mbarëkombëtar i rapidit dhe blitcit, por dhe një simultane e mjeshtrit Fatos Muço me shahistët afganë në Lezhë. E duke patur projektin e Shahut në Shkolla, shpallur prej gati gjashtë vitesh nga Federata Shqiptare e Shahut, atëherë me mësuesit e Lezhës është zhvilluar dhe një trajnim. Në kampionatin ekipor morën pjesë 8 ekipe, që ishin Flamurtari, Bylis, Butrinti, Klubi i Shahut Lezha, Partizani, Tirana, Teuta, Veleçiku, Malësia e Madhe. Dhe në fund kampion është shpallur Butrinti, ndërsa në vendin e dytë ishte Partizani e në të tretin Tirana. Bie në sy që në këtë kampionat ka luajtur dhe Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar, Erald Dervishi, apo Mjeshtrat Ndërkombëtar Ilir Seitaj dhe Llambi Pasku. Pa harruar Mjeshtri Ndërkombëtar kosova Nderim Saraçi dhe kandidaten mjeshtre ndërkombëtare Ndriqona Saraçi. Në ekipet e Butrintit dhe të Tiranës kishte dhe shahistë të huaj, teksa bëhej fjalë për malazezët Aleksandar Tomiç dhe Armin Musoviç. Ndërkohë fitues i kampionatit të blitcit dhe rapidit u shpall Nderim Saraçi e pas tij u renditën Muhamet Asllani e Llambi Pasku. Në përfundim të turneut është zhvilluar dhe ceremonia e shpërndarjes së trofeve.

“Me kënaqësi – thotë Fatos Muço – shoh që shahu ka të ardhme dhe në qytetin tuaj dhe për këtë më vjen mirë. Ju inkurajoj ta vazhdoni sportin e bukur të katrorëve bardhezi”.

“Përgjatë këtij festivali – shpjegon Majlinda Pilinci – kemi bërë dhe një seminar me mësuesit, kjo për shahun në shkolla, por dhe për gjyqtarët, të cilët në fund kanë marrë dhe certifikatat përkatëse. Kjo do të thotë që tashmë janë të gatshëm për të gjitha aktivitetet e radhës kombëtare”.

“Ajo që do të mund të themi është se vitin e ardhshëm ne kemi disa kampionate Ballkanike, të cilat na pengojnë për të zhvilluar veprimtari më të gjëra. Por 2024-ta do të jetë impenjative dhe me shumicë veprimtarish për shahun”, ka përfunduar presidenti Erald Dervishi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme