RTSH në transmetim maratonë për Zgjedhjet Parlamentare 2025

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ka nisur sot një transmetim maratonë që prej orës 07:00 të mëngjesit për të mbuluar në mënyrë të plotë procesin zgjedhor parlamentar në Shqipëri.

  • RTSH synon të sjellë raportimin e zgjedhjeve shqiptare, duke ofruar për publikun çdo detaj nga qendrat e votimit, deri te numërimi i fundit i votës. Transmetimi përfshin lidhje direkte dhe analiza në studio me të ftuar nga spektri i politikës shqiptare.

    Sot janë të hapura 5,225 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë, ku rreth 3.7 milionë qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit kanë të drejtën të zgjedhin 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Në këtë proces garojnë 2,046 kandidatë përfaqësues të 11 partive dhe koalicioneve, ndërsa në asnjë qark nuk ka kandidatë të pavarur.

    Votimi dhe numërimi elektronik do të përdoret vetëm në njësinë nr. 10 në Tiranë dhe në Bashkinë e Vorës. Për herë të parë në historinë zgjedhore të Shqipërisë, edhe diaspora ka votuar përmes postës. Votat e ardhura nga jashtë vendit do të numërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas mbylljes së procesit në orën 19:00.

    Zhvillimet minutë pas minute

    01:58 | Zgjedhjet- Balla: PS afër pritshmërive për 84 mandate

    Drejtuesi politik i PS-së për diasporën, Taulant Balla tha se Partia Socialiste është afër arritjes së objektivit të saj për të marrë 84 mandate deputetësh në zgjedhjet e 11 majit.

    Teksa procesi i numërimit vijon, Balla tha në një intervistë për RTSH se PS kërkon “një shumicë për të bërë reforma”. Lidhur me pretendimet e PD-së, Balla u shpreh se kushdo që ka ankesa duhet të ndjekë procedurën e ankimimit.

    “Kërkojmë nga diaspora dhe të gjithë shqiptarët një shumicë jo për të qeverisës, por për të bërë reforma dhe shumica për të bërë reforma kërkon 84 anëtarë në grupin parlamentar të PS dhe pothuajse jemi në pritshmëritë tona. Jemi në kushtet që vendimmarrja nga ana e komisionerit nuk është marrë mbi bazën e një kërkese me shkrim, por mbi bazë e disa thirrjeve nga shkallët e arenës këtu. Respekti ndaj votës së diasporës duhet të shoqërohet me fakte dhe prova dhe ato duhet të ndjekin procedurën e ankimimit. Nuk mundet një numërues të thotë nuk e numëroj këtë votën sepse nuk më pëlqen”, u shpreh ai.


    01:30 | Zgjedhjet e 11 majit, Gonxhja: Vota e shqiptarëve shënon fundin e tranzicionit, ishte shuplakë për opozitën

    Kandidati për qarkun e Tiranës në radhët e Partisë Socialiste, Blendi Gonxhja, i cili ka rezultuar një ndër më të votuarit në zonën e Vorës ka theksuar se vota e 11 majit është një shuplakë e madhe për mbylljen e tranzicionit dhe një shuplakë për vetë opozitën.

    Duke folur për Radio Televizionin Shqiptar, Gonxhja theksoi se vota duhet lexuar shumë qartë dhe pa eufori.

    Sipas tij, kjo votë është një pikë kthese që shënon mbylljen e tranzicionit dhe hapjen e kapitullit të Shqipërisë europiane.

    “Do ta lexojmë shumë qartë votën dhe nuk ka mbaruar ende numërimi. Ka një numër të madh përpjekjesh nga opozita për ta vonuar dhe penguar, për ta bërë procesin e numërimit të jetë i ngadaltë. Votën do ta lexoja pa asnjë lloj euforie, pa asnjë nxitimi por që ka shumë shuplakë nëpërmjet mbështetjes së një alternative që është mbylla e tranzicionit dhe e një periudhe traumatike e tranzicionit shqiptar dhe hapja e një dere që është ajo e Shqipërisë evropiane”, ka theksuar Gonxhja.

    Ai vuri në dukje se në zgjedhjet e 11 majit, ishin një shuplakë e madhe e votuesve të djathtë ndaj vetë opozitës në mënyrë që ajo të ringrihet dhe riorganizohet.

    “Pra, votuesit janë shprehur shumë fort, edhe votuesit e djathtë, edhe duke bojkotuar PD-në, kanë folur shumë fort duke thënë që; boll me këtë opozitë, rinovohuni, organizohuni, ngrihuni në nivel dhe bëhuni dinjitozë nëse doni që të jeni alternativë qeverisëse. Këtu brenda ka shumë racionalitet, është një votë pragmatiste prej tyre, nuk është vetëm një votë emocionale”, u shpreh Gonxhja.


    09:45 | Numërimi në Himarë drejt fundit, kryebashkiaku Tavo: Rezultati përtej pritshmërive

    Edhe pse me ngadalësi si proces, grupet në Himarë ia dolën të hënën që të çojnë drejt fundit numërimin e votave për subjektet politike, duke lënë pas vetëm një kuti nga Vranishti deri në orën e raportimit, në 9:45. Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, i cili e ndoqi nga afër procesin, deklaroi për RTSH se grupet e numërimit do të kalojnë më tej te votat për kandidatët për deputetë. “Janë të lodhur edhe komisionerët e KZAZ-së, por edhe numëruesit, kështu që është rënë dakord me konsensus që të ketë disa orë pushim për të rifilluar me numërimin e fletëve të votimit për kandidatët,” u shpreh z. Tavo.

    Për sa i përket rezultatit, kur janë numëruar 35 nga 35 qendra votimi gjithsej, në Himarë udhëheq Partia Socialiste me 50,45% të votave, ndjekur nga koalicioni PD–ASHM me 39,05% dhe koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet në vendin e tretë, me 5,49%.


    8:24 | PS kryeson në Lezhë, kandidati Paci: Po na ecën mbarë “matematika”, marrim edhe mandatin e katërt

    Partia Socialiste ka rimarrë epërsinë ndaj rivalëve demokratë (43.85%) në Lezhë, duke siguruar 44,25% të votave të numëruara, kur janë përpunuar gati një e treta e qendrave të votimit. Ermal Paci, kandidati i PS-së në Lezhë, deklaroi për RTSH se klima e zgjedhjeve të këtij viti ka qenë e mirë dhe puna e tyre me komunitetin ka pasur rezultat. Ndërsa shumica e njësive mbeten për t’u numëruar, z. Paci tha se numërimi është ngadalësuar për arsye procedurale, jo prej numëruesve.

    “Në KZAZ 12 dhe KZAZ 13 kemi mbaruar thuajse 6 njësi. Kemi edhe 5 njësi të tjera, si qytetin e Lezhës, më i madhi, që ende nuk ka filluar. Sipas diskutimeve që sapo bëmë dhe me njoftimin e KZAZ-së, presim që numërimi të rifillojë në orën 13:00. Numërimi ka ecur pak avash, jo për fajin e numëruesve, por se fleta ka qenë pak si çarçaf. Edhe procedurat e zarfeve kanë marrë kohë më shumë se herët e tjera,” u shpreh z. Paci.


    2:25 | Gjin Gjoni: PD avantazh 90 vota në 4 kutitë e para. Pritshmëri më të larta se në 2021


    Drejtuesi politik i PD për qarkun Lezhë Gjin Gjoni në një deklaratë për RTSH 24, shprehu objektivin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore për sigurimin e mbi 4 deputetëve në këtë qark.

    Ai theksoi se në katër kutitë e para në qarkun e Lezhës, PD është në një diferencë prej 90 votash avantazh nga PS-ja.

    “Sapo janë hapur 4 kutitë e para. PD në diferencë prej 90 votash. Megjithatë kjo është një zonë ku njëra nga kandidatet e PS është banore e kësaj zone.

    Padyshim PD që do ruajë rezultatin e 2021-shit, por ne jemi për pritshmëri më të larta“, tha ai.


    1:55 | Lapaj: Do kemi një rezultat të mirë, ndryshimin do e sjellë vota e diasporës

    Kryetari i Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, po ndjek procesin e numërimit të votave nga Parku Olimpik, aty ku do të numërohet vota e diasporës. Në një intervistë për RTSH 24, Lapaj tha se shpresa e tij për ndryshim varet pikërisht nga vota e diasporës.

    Ai tha se është kundër bllokimit të proceseve, ndërsa shtoi se ka shpresa se koalicioni i tij do të ketë një rezultat të mirë në këto zgjedhje.

    “Ajo që duhet të adresohet është se të fortët bredhin rrugëve të republikës dhe bëhet të zotët e orëve të natës. Unë bëj pjesë te ata njerëz që nuk synoj bllokimet por të ecet para me procesin. Me ligjin elektoral që kemi qarqet e vogla kanë një problem se njerëzit e kanalizojnë votën e mund të humbet mandati. Diskutim ynë ka qen ën qarqet e mëdha, ne po ndjekim procesin. Unë skam hyrë në këtë garë as për t’u qarë dhe as për t’u ankuar rrugës. Ne kemi 600 vëzhgues në të gjitha KZAZ-të dhe rezultati ynë do varet nga vota e diasporës. Rezultatet që do marrim do të jetë shumë i mirë në këto zgjedhje dhe do jetë një rezultat i marrë me dinjitet me vota të pabëra dhe të pa kërcënuara”, tha Lapaj.


    1:50 | Vendimi i KQZ për Greqinë, Mazniku: Votat duhet të numërohen bashkë. Në Elbasan sigurojmë mbi 9 deputetë

    Drejtuesi politik i PS për qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku ka komentuar për RTSH 24 jo vetëm vendimin e KQZ për votimin e veçantë të votave të emigrantëve në Greqi, por edhe pritshmëritë për fitoren e mbi 9 deputetëve në qarkun që ai drejton.

    Mazniku deklaroi se votat e shqiptarëve duhet të numërohen të gjitha dhe nuk kanë pse të ndahen. Ai shtoi kërkesa e PD për numërimin e votave të diasporës në Greqi ndaras nga shtetet e tjera, nuk është tjetër veçse mekanizma për mbrojtje nga alibia e humbjes.

    “Votat e emigrantëve në Greqi, vendim për t’u lënë mënjanë.

    Unë besoj se votat e shqiptarëve duhet të numërohen të gjitha dhe nuk kanë pse të ndahen. Duhet që të mos bllokojmë procese me presupozime, por me fakte. Nëse ka fakte, ato duhet të prezantohen dhe faktet të shqyrtohen nga autoritetet.

    Kemi pasur gjatë gjithë ditës një mori momentesh konflikti që janë bazuar në presupozime që më pas nuk janë vërtetuar asnjëherë. Gjithë dita ka pasur këtë logjikë.

    Këto janë pjesë të mekanizmave që kanë nisur para disa ditësh dhe lidhen me alibinë e humbjes, për të bërë pis një proces që edhe pala tjetër e lexon deri diku rezultatin”, u shpreh Mazniku.


    1:40 | KQZ vendos numërim veçmas për votat e Greqisë, Noka: Vendim i drejtë, trajtimi i tyre do kujdes

    Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka komentuar vendimin e KQZ për vendosjen e numërimit veçmas të votës së diasporës. Në një intervistë për RTSH 24, Noka e cilësoi këtë vendim të drejtë, pasi sipas tij, në procesin e votimit në Greqi ka pasur parregullsi.

    “Kjo është një kërkese e jona në mënyrë të përditshme që procesi i numërimit të votave të diasporës në Greqi të nis veçmas pas informacione dhe fakteve që kemi. Ka dy orë procesi i bllokuar nga ana e PS dhe më vjen mirë që ky vendim i KQZ i hap rrugë fillimit të procesit të numërimit të votave të diasporës. Ky vendim nuk është në favor të kërkesës tonë, por është një vendim i drejtë nga faktet dhe kërkesat që kemi paraqitur ne. Në Greqi ka patur problematika të rënda që duhen trajtuar në fund. Lontrata ligjërisht nuk i lejohen DHL-së të ketë nënkontraktorë, por kjo është shkelur në Greqi. Gjithashtu kemi denoncomë nga njerëz në Greqi se kanë votuar persona të tjerë në emër të tyre. Kjo duhet trajtuar me qetësi dhe kujdes, kjo është e gjitha”, tha Noka.


    23:20 | Topalli: Vota e diasporës një eksperiencë historike, por procesi në Greqi është cenuar rëndë

    Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për votën e diasporës, Jozefina Topalli, deklaroi në një intervistë për RTSH 24 se procesi i votimit të shqiptarëve në Greqi është cenuar rëndë në integritetin e tij. Ajo theksoi nevojën për verifikim të plotë të marrjes dhe dorëzimit të zarfeve, duke kërkuar që ato të numërohen veçmas për të garantuar transparencën.

    “Problemi që ka pasur procesi në Greqi është një proces i thyer në integritetin e tij pasi shërbimi postar nuk e realizoi misionin e tyre dhe ia kaloi kontraktorëve në shkeljen me ligjin. Kemi bërë disa kërkesë dhe sot për trajtimit në mënyrë të veçantë të kutive që vijën nga Greqia që të kërkojmë nëse janë plotësuar standardet në marrjen dhe dorëzimin e zarfeve, e kundërta do të ishte një dëmtimi procesit dhe këtë askush nuk do e donte. Kërkesa është vetëm për Greqinë, pasi në të gjithë pjesën tjetër procesi ka qenë normal.

    Dëmtimi është aq serioz ne nuk themi të mos e njohim, por duhet të behët verifikim i tyre se kur është marrë zarfi nga personi që ka të drejtë vote dhe si është dorëzuar. Ne presim që këto të numërohen veçmas për të bërë verifikimin për mënyrën e dorëzimit të këtyre zarfeve. Ka kapërcime të palogjikshme që kanë ndodhur ditët e fundit. 5 ditët e fundit ka ardhur një numër shumë i madh zarfesh nga Greqia që është përtej normale”, tha Topalli.


    23:11 | Alibeaj: Rezultati për Vorën dhe Njësinë 10 duhej të ishte shpallur

    Kreu i “Djathtas 1912”, Enkelejd Alibeaj në një lidhje për RTSH 24 ka deklaruar se për Vorën dhe Njësinë 10, rezultati i votimit do duhej të kishte dalë. Ai thekson se e ka të vështirë të kuptojë arsyet, por shton se, dy partitë politike më të mëdha në vend, PS dhe opozita, do duhet që të kishin nxjerrë rezultatet e tyre përsa kohë kanë përfaqësues në këto njësi.


    Ben Andoni: Zgjedhjet e 2025-ës duhet të vendosin standardin, incidentet tregojnë ende mungesë kulture demokratike

    Analisti politik Ben Andoni, i ftuar në emisionin maratonë “Shqipëria Zgjedh 2025”, të transmetuar në RTSH ka komentuar mbi atmosferën zgjedhore dhe rëndësinë e vendosjes së standardeve të larta në procesin elektoral.

    Andoni shprehu zhgënjimin e tij për faktin që edhe në vitin 2025, Shqipëria përballet ende me incidente zgjedhore, veçanërisht jashtë kryeqytetit, ku sipas tij, kuptimi i të drejtës së votës mbetet i cunguar.

    “Nuk e mendoja që në 2025 do të kishim incidente banale, në zona jashtë Tiranës nuk arrijnë të kuptojnë se zgjedhja është dita e vetme ku një qytetar kontrollon veten e tij për votimin që ka bërë.  E vetmja gjë që kërkohet nga zgjedhjet e 2025 është që në këto zgjedhje të ketë standard të lartë. Besoj që edhe nëse do të jemi pjesë ë BE, zgjedhjet tek do të vazhdojnë të lënë shumë për të dëshiruar.  Besoj që deri në përfundim incidentet të pakësohen”, u shpreh Andoni.

    Bregu: SPAK po heton krimet zgjedhor, së shpejti arrestime

    Në studion e emisionit maratonë “Shqipëria Zgjedh 2025”, drejtuar nga Alban Dudushi në RTSH, pedagogu dhe gazetari Zylyftar Bregu, deklaroi se SPAK po ndjek shumë çështje që kanë të bëjnë me krimet zgjedhore dhe së shpejti priten arrestime.

    Bregu tha se nuk mund të vlerësoj shkallën dhe niveli e arrestimeve, por sipas tij, do të ketë një numër të konsiderueshëm sepse SPAK po ndjek më vëmendje gjithë procesin zgjedhor.

    “Mund të them që në SPAK janë disa çështje që po ndiqen dhe që kanë të bëjnë me krimin zgjedhor. Shumë shpejt çështje orësh apo ditësh pas përfundimit të procesit zgjedhor, do të ketë arrestime. Se në çfarë niveli do të mbërrijnë arrestimet nuk jam në gjendje ta them por do të ketë një numër të konsiderueshëm pikërisht për krimin zgjedhor. SPAK ka disa procedime penale në lidhje me këtë çështje dhe ka bërë disa hapa procedurale duke shkuar në Shkodër dhe ka bërë akte-kontrolli me vendim gjykate.  Kjo është pjesë e dukshme por unë di që ka dhe disa procese që janë të pa publikuar deri tani.”

    Në përfundim profesori i gazetarisë, Zylyftar Bregu tha se, “duhet të presim vetë SPAK-un për të shpjeguar nëse ky institucion duhet të kishte goditur para ditës së votimit, dhe provat që ata kanë për këdo të përfshirë.


    Poli Hoxha: Pjesëmarrja më e ulët se në 2021, një sinjal shqetësues për procesin zgjedhor

    Analisti politik Poli Hoxha ka shprehur shqetësimin e tij për pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, krahasuar me procesin zgjedhor të vitit 2021. Komentet e tij u bënë gjatë emisionit maratonë “Shqipëria Zgjedh 2025”, të transmetuar në RTSH dhe drejtuar nga gazetari Alban Dudushi.

    Duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Hoxha theksoi se pjesëmarrja deri në orën 10:00 të mëngjesit ishte rreth 50% më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme.

    “Për mendimin ka pak denoncime me sa pretendohet, lajmi i fundit tani që doli nga KQZ dhe është shqetësues, është pjesëmarrja deri në orën 10 ka qenë rreth 50% më pak se në 2021.  Kam vënë re se të gjithë liderët e partive kanë bërë thirrje për të votuar, ndërsa nuk dëgjova kryeministrin që të bënte thirrje për të votuar”, u shpreh Hoxha.

    Mentor Kikia: Votimi i diasporës, sfida reale për KQZ, një proces që duhet të kthehet në rutinë

    Në studion e emisionit maratonë “Shqipëria Zgjedh 2025”, drejtuar nga Alban Dudushi në RTSH, analisti politik Mentor Kikia ndau vlerësimet e tij për atmosferën zgjedhore dhe rolin kyç të votimit të diasporës në këto zgjedhje parlamentare.

    Kikia vuri në dukje qetësinë në Tiranë dhe e cilësoi këtë si një shenjë pozitive të zhvillimit të standardeve demokratike. Një nga theksimet kryesore të analistit ishte rëndësia e standardizimit të votës së diasporës, që për herë të parë në Shqipëri po realizohet përmes postës.

    “Konstatimi i parë në rrugët e Tiranës është një ditë krejtësisht e qetë, më e qetë se një ditë normale pushimi. Në mënyrë absolute është shumë i rëndësishëm standarti i votës së diasporës sepse pavarësisht kë votojnë ky do jetë një hap i parë për të standartizuar dhe stazhonuar procesin në mënyrë që në të ardhmen të jetë një rutinë dhe të mos kërkoj shumë impenjime. Është shumë e rëndësishme që përtej kontestimeve që mund të kenë partitë të mos kenë ndërprerje të procesit të dërgimit, postimit, ardhjes e me radhë që të mbyllet votimi i diasporës dhe të kolaudohet ky proces. KQZ është siç kishte dhe herët e kaluara demonstrimin për herë të parë të një procesi votimi elektronik, kësaj radhe është votimi i diasporëzs që është sprova e KQZ për të nxjerrë që produkt që do ti rezistojë kohës që në zgjedhjet e ardhme të mos jemi të detyruar të kërkojmë një tjetër praktik votimi për të pasur më shumë besim tek ky proces”, u shpreh Kikia.

    Kikia nënvizoi gjithashtu ndryshimin në natyrën e manipulimeve zgjedhore krahasuar me të kaluarën.

    “Në dy proceset e fundit të paktën dita e zgjedhjeve ka qenë e qetë sepse më herët kur bëhej fjalë për manipulim ai bëhej në ditën e zgjedhjeve dhe nëse tani do të flasim për manipulim tani bëhet çdo gjë përpara dhe dita e votimit është dita e vullnetit dhe dita e sotme do të jetë shumë e qetë”, tha Kikia.

    Analistët Sejamini dhe Çipa: Qetësi në fushatë, por problematika teknike

    Në studion e emisionit zgjedhor maratonë “Shqipëria Zgjedh 2025”, drejtuar nga Alban Dudushi në RTSH, analistët Neritan Sejamini dhe Aleksandër Çipa ndanë vlerësimet dhe shqetësimet e tyre për procesin zgjedhor që është në zhvillim.

    Analisti Neritan Sejamini theksoi ndryshimet e vazhdueshme në mënyrën e votimit, duke vënë në dukje kompleksitetin e kësaj flete votimi.

    “Edhe këtë herë kemi një fletë të re votimi. Është i njëjti sistem, por me ndryshim në Kodin Zgjedhor. Ne nuk kemi votuar kurrë dy herë njësoj. Kësaj radhe fleta është masive për shkak të listave të hapura dhe emrave të partive politike. Rreziku i vetëm është konfuzioni i votuesit – nëse votohet për një parti dhe kandidatin e një partie tjetër, fleta del e pavlefshme. Megjithatë, kjo ka qenë një nga fushatat më të qeta pa incidente dhe dhunë”, tha Sejamini.

    Ndërkohë, analisti Aleksandër Çipa vlerësoi qetësinë në fushatë, por shprehu shqetësime për probleme teknike dhe raportime për fenomene të paligjshme në zona të caktuara.

    “Nga ajo që kam ndjekur, një pjesë e mirë e reporterëve kanë evidentuar probleme me pajisjet teknike të votimit. Në disa zona, si Vlora, ka pasur vështirësi që lidhen më shumë me aspektin teknik. Nuk ka pasur intensitetin dhe koston e dikurshme të fushatave. Megjithatë, në orët e vona të mbrëmjes janë raportuar ankesa në Kukës, Dibër e Gjirokastër për qarkullim personash të përfshirë në korrupsion zgjedhor dhe shpërndarje parash”, u shpreh Çipa.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme