Vazhdon numërimi i votave për kandidatët në listat e hapura. Nga PD në Tiranë kryeson Tabaku. Nga PS, Gonxhja më i votuari

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Në Tiranë vazhdon numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Shifrat tregojnë për një betejë të fortë mes kandidatëve brenda partive.

Sipas të dhënave zyrtare që ofron KQZ, në Tiranë, për Partinë Demokratike kryeson në listën e hapur Jorida Tabaku me 11.855 vota, duke lënë pas me 1 mijë vota Ilir Alimehmetin, që shihej si pretendent për të fituar mandatin e deputetit.

Partia Socialdemokrate ka marrë një mandat deputeti, po aq edhe Nisma dhe Lëvizja Bashkë.

Situata është më interesante për socialistët, për të cilët qytetarët deri tani u kanë dhënë 19 mandate në kryeqytet. Kryeson Blendi Gonxhja me 15.693 vota, Ervin Hoxha me 12.863 vota, Erion Braçe me 11.613, Fatmir Xhafaj me 8.516, Ornaldo Rakipi me 6.129, Anila Denaj me 4.321 vota, dhe ka hyrë në listën fituese Kejsi Elezi me 3.944 vota, duke lënë pas kandidatë si Majko, Kodheli, Gjylameti, Olta Xhaçka etj.

Për opozitën, mandati duket i pamundur për Ilir Metën, për Dashamir Shehin dhe Lulzim Bashën, që u vendosën në listat e hapura të kryeqytetit.

Sipas këtyre të dhënave, PS do të çojë në Kuvend 7 deputetë për Tiranën nga lista e hapur, ndërsa PD vetëm një.

Lezha mbyll preferencialet, 2 kandidatë nga lista e hapur e PD dhe një PS

Të dhënat për Qarkun Lezhë tregojnë diferencën me 1 votë mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste me një rezultat shumë të ngushtë, duke bërë që vota e diasporës të jetë përcaktuese.

Sipas rezultateve të deritanishme, të djathtët kanë siguruar 4 mandate, prej të cilëve dy nga lista e mbyllur dhe dy nga preferencat e votuesve. Nga rezultatet e deritanishme kandidati i Partise Demokratike Gjin Gjoni  rezulton me i votuari ne rang qarku ,me 8873 vota pasuar nga Kastriot Piroli me 5632 vota.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste merr 3 mandate, për tu përfaqësuar në Kuvend  e Ulsi Manja dhe Ermal Pacaj nga lista e mbyllur, nga lista e hapur vota preferenciale nxorri Marjeta Nelin me 6745 vota duke spostuar Pranvera Skanën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme