Nepali përfshihet nga kaosi pas protestave masive, digjet parlamenti, dhunohen disa ministra

Azi | 1 vit më parë

Nepali është përfshirë prej tre ditësh nga trazira të mëdha dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe autoriteteve. Me mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë, duke sulmuar dhe i vënë zjarrin ndërtesave qeveritare, parlamentit, si dhe banesave të politikanëve.

Kreu i Partisë së Kongresit të Nepalit, Sher Bahadur Deuba, së bashku me bashkëshorten e tij, ministren e Jashtme Arzu Rana Deuba, janë dhunuar nga protestuesit. Ndërkohë, disa ministra e zyrtarë të lartë janë evakuuar nga ushtria me helikopter drejt zonave të sigurta.

Shkak për shpërthimin e revoltës u bë vendimi i qeverisë për të ndaluar rrjetet sociale, gjatë të cilit mbetën të vrarë 19 persona. Ngjarja ndezi zemërimin e qytetarëve, duke e kthyer protestën në një lëvizje masive kundër korrupsionit dhe qeverisë.

Dorëheqja e kryeministrit Sharma Oli nuk e qetësoi situatën, ndërsa turmat e zemëruara vazhduan të protestojnë, duke djegur edhe parlamentin në Katmandu.

“Korrupsioni ka qenë një problem i përhershëm. Është koha për ndryshim dhe ne do të luftojmë për këtë. Shpresojmë që kjo të sjellë një të ardhme më pozitive”, tha një protestuese.

Në vend është dislokuar ushtria për të vënë situatën nën kontroll, por kaosi është thelluar. Autoritetet e burgjeve raportuan se rreth 900 të burgosur arritën të arratisen nga dy institucione në perëndim të Nepalit.

Shefi i ushtrisë akuzoi protestuesit se po shfrytëzojnë krizën për plaçkitje dhe shkatërrime të pronës publike e private.

Javën e kaluar qeveria kishte urdhëruar bllokimin e 26 platformave sociale, duke e justifikuar me nevojën për të luftuar lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes. Por veprimi u cilësua nga të rinjtë si një sulm ndaj lirisë së fjalës. Edhe pse ndalimi u hoq mbrëmjen e së hënës, protestat tashmë kishin marrë një vrull të pandalshëm, duke tronditur elitën politike dhe duke e futur vendin në kaos.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme