Buxheti 2027 në Kuvend/ Bylykbashi: Është buxhet elektoral, qeveria po rrit taksat dhe përdor prokurimet për zgjedhje

Gjatë diskutimeve parlamentare mbi projektbuxhetin e vitit 2027, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e cilësoi dokumentin financiar të qeverisë si një “buxhet elektoral”, duke argumentuar se mënyra e shpërndarjes së fondeve publike dhe rritja e barrës fiskale rëndojnë mbi qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, ligjvënësi demokrat u ndal te rënia e kursit të këmbimit të euros nën kufirin e 90 lekëve (89.55 lekë), duke e konsideruar këtë zhvillim një goditje të rëndë për eksportuesit dhe familjet që varen nga remitancat. Sipas tij, ky zhvlerësim po dëmton sektorin fason dhe të ardhurat e emigrantëve, ndërsa qeveria po e paraqet si arritje ekonomike.
Kritikat për taksat, shëndetësinë dhe trajtimin e protestuesve
Duke iu referuar vlerës prej 10 miliardë eurosh të projektbuxhetit, Bylykbashi akuzoi mazhorancën se po rrit taksat — përfshirë TVSH-në, tatim-fitimin dhe dividentin — ndërsa u shpreh skeptik se ulja e shkallës së TVSH-së për ushqimet e shportës do të sjellë ulje reale të çmimeve në treg.
Deputeti i PD-së solli në vëmendje disa raste sociale dhe shëndetësore për të ilustruar atë që e cilësoi si hendek mes shifrave të buxhetit dhe realitetit të qytetarëve.
Ai përmendi mungesën e lëndës së kontrastit për ekzaminimet me skaner në spitalin e Durrësit pas muajsh pritjeje, si dhe vështirësitë e pensionistëve të sëmurë me kancer për të përballuar koston e ilaçeve dhe mungesën e shërbimit të PET-skanerit.
Akuzat për prokurimet publike dhe sistemin e patronazhimit
Duke cituar gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), deputeti demokrat deklaroi se dëmi ekonomik në financat publike rezulton rregullisht më i lartë në vitet parazgjedhore dhe zgjedhore. “Absolutisht e qartë, e lidhur me zgjedhjet, sepse edhe ky buxhet i kësaj radhe është buxhet elektoral”, u shpreh ai, duke akuzuar qeverinë se po shpenzon fonde për pajisje të rendit dhe mekanizma patronazhimi në vend të shërbimeve bazë si mjetet zjarrfikëse.
Në lidhje me menaxhimin e fondeve dhe prokurimeve, Bylykbashi përmendi transferimin në SPAK të dosjes për vjedhjen e 700 mijë eurove të pensioneve në postën e Durrësit, çështjen e AKSHI-t, si dhe dosjen “Balluku”, për të cilën i kërkoi Kryetarit të Kuvendit deklasifikimin e raportit të prokurorisë. Sipas tij, këto raste dëshmojnë se si po administrohen fondet publike në prokurimet shtetërore.
Në përfundim të fjalës së tij, Bylykbashi bëri një paralelizëm mes konceptit të res publica (e mira publike) dhe trajtimit të buxhetit si pronë private e pushtetit, duke e mbyllur fjalimin me thënien e njohur të Benjamin Franklin-it pas miratimit të Kushtetutës Amerikane në vitin 1787: “Ju dhamë republikë, në qoftë se dini ta mbani”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




