BB: Tregtia të diversifikohet, Paoluçi: Bizneset shqiptare të përqendrohen tek rritja e standardeve evropiane

Ekonomi | 5 minuta më parë

Në analizën për konkurrueshmërinë tregtare të vendit, Banka Botërore vlerëson se eksportet shqiptare janë në rritje dhe tashmë përbëjnë 37% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore, Massimiliano Paolucci, tha se ky progres ka afruar më shumë Shqipërinë me tregjet evropiane dhe ka dëshmuar aftësinë e bizneseve shqiptare për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.

“Eksportet janë rritur me më shumë se 7% në vit që prej vitit 2001 dhe tashmë zënë 37% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose thuajse dyfishin krahasuar me vitin 2000. Shqipëria ka një rritje më të shpejtë se homologët e saj rajonalë. Ky zgjerim ka mbështetur punësimin dhe formalizimin”, u shpreh Paolucci,

Megjithatë, sipas Paoluccit, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk garanton automatikisht produktivitet më të lartë dhe paga më të mira. Për këtë arsye, bizneset duhet të përqendrohen në përmbushjen e standardeve, dhe përdorimin e teknologjisë.

“Anëtarësimi në BE do të sigurojë qasje më të thellë në tregun e përbashkët dhe një bazë të fortë për konvergjencën ligjore. Megjithatë, vetëm qasja në treg nuk do të sjellë automatikisht produktivitet më të lartë dhe paga më të mira. Ndërmarrjet duhet të arrijnë të përmbushin standardet, të përdorin lëndë të para dhe shërbime më cilësore, të vënë në zbatim teknologji, të tërheqin investime dhe të përfshihen në veprimtari me vlerë më të lartë”, tha ajo.

Një tjetër sfidë e evidentuar në raport është përqendrimi i eksporteve në pak sektorë. Shërbimet, ku peshën kryesore e zë turizmi, përbëjnë më shumë se 80% të eksporteve shqiptare. Banka Botërore vlerëson se ekonomia duhet të zgjerojë bazën prodhuese dhe eksportuese, duke krijuar më shumë vlerë të shtuar dhe vende më cilësore pune.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme