Tre oficerë police u vranë në Pensilvani, autoritetet identifikojnë autorin e sulmit fatal

Amerikë | 1 vit më parë

Autoritetet kanë identifikuar 24-vjeçarin Matthew James Ruth si autorin e sulmit me armë zjarri që la të vdekur tre oficerë policie dhe plagosi dy të tjerë të mërkurën në Pensilvaninë jugore. Autori u vra nga policia në vendngjarje, duke i dhënë fund një prej ditëve më vdekjeprurëse për policinë e këtij shteti në shekullin e 21-të.

Oficerët u qëlluan ndërsa po hetonin një rast të dhunës në familje që kishte nisur një ditë më parë. Ngjarja shpërtheu në zonën rurale të North Codorus, rreth 185 kilometra në perëndim të Filadelfias, një zonë bujqësore me fusha misri dhe soje, ku ishin mobilizuar rreth 30 automjete policie.

Guvernatori Josh Shapiro e quajti ngjarjen një “humbje tragjike jetësh”, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme Pamela Bondi e cilësoi dhunën kundër policisë “një plagë për shoqërinë tonë”.

Dy oficerët e plagosur ndodhen në spital në gjendje kritike, por të qëndrueshme. Emrat e oficerëve që humbën jetën dhe departamentet ku shërbenin nuk janë bërë ende publike, ndërsa hetimi vazhdon.

Pas tragjedisë, komuniteti i Spring Grove organizoi një procesion të madh në nder të viktimave. Qytetarë të shumtë me flamuj amerikanë, zjarrfikës dhe automjete emergjence u bashkuan në një procesion madhështor drejt zyrës së mjekut ligjor, duke nderuar shërbimin dhe sakrificën e oficerëve. Lule u vendosën gjithashtu në selinë e Departamentit Rajonal të Policisë së Jorkut Verior.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme