Presidenti i Brazilit sulmon SHBA-në në OKB, i cilëson të papranueshme sulmet ndaj gjyqësorit brazilian

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, mbajti një fjalim të ashpër në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kritikuar fort homologun e tij amerikan për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit. Në qendër të sulmit ishin masat ndëshkuese të marra nga SHBA-ja si reagim ndaj dënimit të ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro.
“Nuk ka asnjë justifikim për masa të njëanshme dhe arbitrare kundër institucioneve dhe ekonomisë sonë,” tha Lula da Silva, duke shtuar se “agresioni kundër pavarësisë së gjyqësorit… është i papranueshëm.” Ai e lidhi këtë ndërhyrje me atë që e quajti “një të djathtë ekstreme të nënshtruar që është nostalgjike për hegjemonitë e së kaluarës.”
Kritikat vijnë pas vendosjes nga SHBA-ja të tarifave të larta mbi importet braziliane, si dhe sanksioneve personale ndaj gjyqtarëve që merren me rastin e Bolsonaro-s. Ky i fundit u dënua për akuzat lidhur me një tentativë grushti shteti. Më tej, Shtetet e Bashkuara revokuan vizat amerikane për gjyqtarët e përfshirë në çështje, si dhe për familjet e tyre.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është përfshirë personalisht në këtë çështje, duke e cilësuar procesin gjyqësor si një “gjueti shtrigash” dhe duke e krahasuar rastin e Bolsonaro-s me përvojën e tij pas sulmit në Kapitol.
Lula da Silva mbrojti procesin gjyqësor ndaj paraardhësit të tij, duke e përshkruar si “të përpiktë” dhe duke theksuar se Bolsonaro pati mundësinë të mbrohej vetë në gjykatë. “Brazili u dërgoi një mesazh të gjithë autokratëve aspirantë dhe atyre që i mbështetin ata. Demokracia jonë, sovraniteti ynë, janë të panegociueshme,” përfundoi Presidenti brazilian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





