Fuqia punëtore, sfida e turizmit. Bizneset në Malësi të Madhe, mbështeten kryesisht në angazhimin e familjarëve
Sigurimi i fuqisë punëtore ka qenë sfida kryesore e këtij sezoni turistik në Malësinë e Madhe.
Ndërsa numri i turistëve që vizitojnë këtë zonë po rritet nga viti në vit, e kundërta po ndodh me popullsinë vendase, e cila po tkurret duke ndikuar ndjeshëm në disponueshmërinë e krahut të punës.
Për të përballuar kërkesat në rritje të sezonit, bizneset vendase janë mbështetur kryesisht në angazhimin e familjarëve, duke u kthyer kështu në modele të vogla ekonomike që funksionojnë falë bashkëpunimit brenda familjes.
“Këtu sfida kryesore është çështja që lidhet me fuqinë punëtore. Është një sfidë që realisht është adresuar mjaft mirë nga strukturat tona, sepse ato kanë një tipologji të veçantë. Janë kryesisht biznese familjare, ku e gjithë familja është e angazhuar në biznes,” shprehet Eristian Smaljaj, përgjegjësi i Turizmit në Bashkinë e Malësisë së Madhe.
Në disa prej pikave më të frekuentuara malore të Malësisë së Madhe, në bujtina dhe hotele, janë punësuar edhe shtetas të huaj, një praktikë që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në sektorin e turizmit.
“Ka pasur subjekte në Razmë, Lëpushë, që kanë punësuar individë nga vende të treta, si Bangladeshi, India etj.” shton z. Smajlaj.
Sipas të dhënave, sezoni veror i këtij viti në Malësinë e Madhe ka shënuar një rritje prej rreth 10% të numrit të turistëve, kryesisht të huaj, krahasuar me një vit më parë.
Me atraksione të shumta natyrore, kulturore dhe tradicionale, kjo zonë vijon të vlerësohet si një ndër destinacionet më të veçanta të turizmit malor në Shqipëri dhe më gjerë.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





