BE dhe SHBA ashpërsojnë sanksionet kundër Rusisë: Presion i ri mbi ekonominë e luftës së Putinit

Botë | 11 muaj më parë

Bashkimi Evropian ka miratuar paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke ndaluar importet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) rus dhe duke shtuar ndalesat portuale për mbi 100 anije të reja të “flotës së errët” ruse, duke e çuar numrin total në 557.

Këto masa vijnë vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi sanksione të reja kundër dy gjigantëve të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për të tharë burimet financiare që ushqejnë invazionin rus në Ukrainë.

Megjithatë, liderët evropianë në samitin e Brukselit nuk arritën ende një marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira ruse prej rreth 200 miliardë eurosh, kryesisht të mbajtura në Euroclear të Belgjikës, për një hua reparacionesh prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën.

Kryeministri belg Bart De Ëever, i cili drejton takimin e Këshillit Evropian, shprehu skepticizëm, duke theksuar se “duhen plotësuar së pari kushtet ligjore” për të shmangur rreziqe juridike.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti paketën e sanksioneve “një sinjal të qartë nga të dyja anët e Atlantikut se do të vazhdojmë presionin kolektiv mbi agresorin”

Ndërkohë, Zelensky, i pranishëm në Bruksel, tha se “ne e prisnim këtë. Zoti e bekoftë, do të funksionojë. Kjo është shumë e rëndësishme”

Analistët vlerësojnë se ekonomia ruse ka qenë rezistente deri tani, por tregon shenja lodhjeje, me indeksin MOEX të aksioneve ruse që ra 3.7% pas njoftimit.

Sanksionet hyjnë në fuqi më 21 nëntor. Sekretari i Thesarit Scott Bessent tha se masat synojnë të “degradojnë aftësinë e Kremlinit për të mbledhur të ardhura për makinën e luftës dhe ekonominë e dobët”.

Ndërkohë, raportohet se kompanitë kineze shtetërore si Petro China dhe Sinopec kanë pezulluar blerjet e naftës ruse detare për shkak të frikës nga sanksionet dytësore.

Ish-presidenti Dmitry Medvedev, tani zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, akuzoi Trump-in se “ka hyrë plotësisht në rrugën e luftës kundër Rusisë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme