Vonesat me pagat, punonjësit e RTK-së paralajmërojnë se do të mbajnë grevë njëorëshe të hënën

Kosovë | 12 muaj më parë

Në protestën që mbajtën të enjte ku kërkuan pagat për punën e kryer gjatë muajit tetor dhe që ende nuk I kanë marrë, punonjësit e radio televizionit të Kosovës paralajmëruan se të hënën e ardhshme do të zhvillojnë një grevë një orëshe.

“Kjo është protesta jonë e 3-të për këtë vit dhe për fat të keq nuk ka ndryshuar asgjë nga hera e kaluar, gjendja në RTK është përkeqësuar ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin mbi 700 familje të punonjësve tanë në RTK po përballen çdo ditë me problemet me mbijetesë, presione nga bankat vështirësi për t’i paguar faturat e energjisë ankth i përditshëm për të ardhmen kjo nuk është më krizë ekonomike është krizë e identitetit. Mos i fusni punëtorët e RTK-së në beteja politike ne nuk jemi pjesë e asnjë partie jemi punëtorë, kërkojmë atë që na takon me ligj, deri më sot kemi dëgjuar vetëm deklarata, por asnjë veprim konkret, prandaj i bëjmë thirrje publike kryeministrit në detyrë, Kurti që të veproj ashtu si herën e kaluar dhe të mundësojë zgjidhjen e menjëhershme të situatës. Greva do të filloj nga dita e hënë në të gjithë Radio Televizionin e Kosovës, greva do të fillojë nga ora 11:00 deri në orën 12:00. Kërkojmë nga kolegët e RTK-së që nga kjo orë të mos punohet asgjë. Ka kolegë tonë të cilët nuk po munden të vijnë në punë sepse nuk ka financa e pa financa nuk munden as të lëvizin vijnë nga Mitrovica nga Gjilani nga e gjithë Kosova…. Situatë më të rënduar në televizionin e RTK-së nuk ka pasur ndonjëherë”, tha Gëzim Bimbashi

“I bëj thirrje publike punëdhënësve institucioneve, Qeverisë, kryeministrit në detyrë që ta dëgjojë këtë… Se në demokraci thuhet shpesh thuhet le të flitet, por demokracia e vërtetë është kur dëgjohet zëri i punëtorit kur dëgjohet brenga e tij dhe kur dëgjohet dhe respektohet kërkesa e tij për të drejtën. Sot nuk kërkojmë as luks as privilegje sot kërkojmë atë që është e drejtë sot kërkojmë pagën për punën që në e bëjmë”, tha Dërguti

“Unë po them mirë që u gjetën parat për studentë, mirë që u gjetën parat për pensionistët në këtë mënyrë është dashur të gjinden edhe për RTK-në dhe 700 punëtorët e tyre. Mos gjetja e mjeteve të tyre tregon se kryeministri dhe ministri i Financave kanë inatin që e kanë bërë edhe ndaj nesh në shtator…Të kërkosh pagë nuk është privilegj nuk është lutje për të jetuar. Pa pagë është vështirë të përballet një punëtor nga këtu me çmime kaq të larta ju priftë e mbara SBASHK-u do të jetë gjithmonë me ju”, tha ai.

Punonjësit e Transmetuesit Publik të Kosovës ende nuk kanë marrë pagat për punën e kryer muajin e shkuar, pasi nuk është themeluar komisioni parlamentar për buxhet që të miratojë lëvrimin e pjesës së dytë të buxhetit vjetor të RTK-së.  Ndërsa në muajin gusht, qeveria në detyrë miratoi kërkesën e televizionit për kredi afatshkurtër likuiditeti me vlerën me 2.5 milionë eurove, e cila ende nuk është shlyer,  ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati u shpreh pak ditë më parë se ekzekutivi nuk mund të ndërhynte sërish dhe se përgjegjësia për buxhetin e transmetuesit publik ishte e Kuvendit.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme